Revolta e shqiptarëve/ Rama nxjerr Çuçin për të prerë ca 'koka'?

Pasi situata kriminale dhe ajo e aksidenteve në këtë fillim të sezonit turistik ka dalë jashtë kontrollit, kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga Vlora se shumë shpejt do të ketë një “ristrukturim të thellë” në Policinë e Shtetit.

Duket se goditja që po merr turizmi shqiptarë dhe revolta e madhe e opinionit publik, ka bërë që kjo e ashtuquajtur “reformë” të përshpejtohet.

Në këtë situatë (8 viktima në 48 orë), ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka njoftuar një konferencë të jashtëzakonshme për mediat këtë të hënë në orën 11.00 në ambientet e ministrisë që drejton.

Kryeministri dje paralajmëroi një ristrukturim, i cili sipas tij ishte parashikuar për në fund të verës, por për shkak të ngjarjeve të fundit do të përshpejtohet. Po në qytetin e Vlorës ai thirri disa nga drejtuesit kryesorë të policisë dhe ministrin Çuçi, por mbledhja është zhvilluar në sekret të plotë.

Nuk dihet konkretisht se cilat struktura do të ristrukturohen dhe a do të “priten koka” nga kjo nismë urgjente, por nëse nuk preket përgjegjësi kryesor, drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, atëherë duket se do të kemi të bëjmë thjesht me një retushim të radhës, sa për të kaluar këtë situatë revolte të shqiptarëve të cilët kanë frikë të bëjnë pushime në vendin e tyre.

Kujtojmë se mëngjesin e së premtes një familje e tërë u shua në një aksident në aksin Levan-Vlorë ku prindërit dhe dy vajzat e mitura humbën jetën pasi makina e tyre u përplas nga një “Audi”, i cili drejtohej nga një 22 vjeçar që e ngiste makinën e babait biznesmen me shpejtësi mbi 150 kilometra në orë. Pa u shuar ende jehona e kësaj ngjarje të rëndë, mesnatën e të shtunës, 4 persona u vranë në Velipojë pas sherrit për hapësirat në plazh, kurse 2 të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Për situatën e rëndë kriminale në vend dhe humbjes së kontrollit të territorit nga ana e Policisë së Shtetit, kanë reaguar ashpër edhe presidenti i vendit, Ilir Meta, si dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.