Durrësi mbytet nga plehrat në sezon turistik/ Bashkia i grumbullon nëpër lagje, banorët: Po sëmuremi

Qyteti i Durrësit po shkon drejt një emergjence mjedisore për shkak të refuzimit për hedhjen e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Aktualisht mbetjet e Durrësit grumbullohen në disa zona të ndryshme periferike, ndërsa banorët ankohen për erën e rëndë dhe i frikësohen sëmundjeve infektive.

Ndërmarrja e Shërbimit të Komunales ka “zgjidhur” menaxhimin e mbetjeve urbane, duke i grumbulluar ato në pika të ndryshme në qytetin e Durrësit, disa prej tyre shumë pranë banesave.

Situata është e njëjtë në disa zona të Durrësit, duke shkatërruar turizmin, që po mundohet të ringrihet pas pandemisë dhe tërmetit.

Ndërkohë burimet pranë Bashkisë Durrës bëjnë me dije se problemi qëndron në financimin e landfillit të Sharrës, i cili për shkak të mos marrjes së pagesës përkatëse ka vendosur bllokimin e dërgimit të mbetjeve urbane të qytetit të Durrësit.