Pandemia në Shqipëri s'është Covidi: Pse kemi makina-përbindësh në duar të fëmijëve?!

Nga Dr. Artan Koni.

Pandemia në Shqipëri nuk është Covidi, por trafiku. Përditë po shuhen njerëz nga aksidente të tmerrshme, shumica e të cilëve janë të parandalueshme. Vështirë të zgjidhet ky problem... sepse ne nuk kemi ndjeshmërinë e duhur, as shteti e as individi.

Shteti:

1- Përse kemi makina-përbindësh në duar të fëmijëve? Ku i gjejnë këto makina? Nëse do të më pyesin “kush në Shqipëri mund të blejë makina të tilla me para te justifikuara?”mund t’ju përmend 50 apo 100 njerëz. Ndërkohë, në trafik unë shoh pafund makina të tilla. Nga vijnë? Është detyrë e shtetit të merret me këtë pjesë. Problemi e ka zanafillën te parlamenti, ku shumica e deputetëve (si majtas ashtu edhe djathtas) nuk i justifikojnë makinat që përdorin ata apo familjarët e tyre...familjarë të cilët herë pas here përfshihen në aksidente të tilla.

2 - Policia është e pafuqishme për të ndëshkuar shumicën e këtyre makinave. Kur ndalohen në trafik, lihen të qetë sepse janë miku i filanit, djali i deputetit apo kushëriri i një pushtetari të caktuar...përndryshe polici caktohet në një detyrë më të rëndomtë, në ndonjë cep të Shqipërisë. Nëse nuk i jep shteti kompetenca më të forta Policisë, kush do t’ia japë?

3 - Është krijuar perceptimi i përgjithshëm që po pate miq apo para, drejtësia të gjuan me pambuk (gjobë, shërbim prove, etj.) ndërkohë që në botën moderne njerëzit bëjnë burg për aksidentet rrugore, nëse përfundojnë me vdekje. Në letra kështu është edhe Kodi ynë Rrugor...por këtu ka jo vetëm ligj, por edhe Maliq. Nëse të pushtetshmit do të vazhdojnë trysninë ndaj drejtësisë për dënime sa më të buta, kjo punë nuk zgjidhet kurrë.

Individi:

1- Duam të arrijmë 1 minutë e më parë në destinacion, ndërkohë që nuk ka gjë më të bollshme se koha në Shqipëri. Kemi papunësi të lartë, nuk është se na mbytën punët dhe kemi ndonjë urgjencë të madhe, apo jo?

2 - Kemi zero empati si shoqëri. Kur ecim si të çmendur në trafik, nuk duam t’ia dimë se mund të shkatërrojmë jetën e një të pafajshmi, për rrjedhojë, edhe ai i pafajshmi nuk do t’ia dijë për ne nesër - pasnesër në një rrugë tjetër të qytetit apo në ndonjë stacion autobusi. Empatia të nxit ta heqësh këmbë nga gazi.

3- Jashtë shtetit jemi të qytetëruar në trafik sepse kemi frikëe nga ligji. Këtu jo, nuk kemi...kujtojmë se po i bëjmë bisht ligjit, do t’i bëjmë bisht edhe vdekjes.

Përderisa shteti dhe individi nuk ndryshojnë kollaj, zgjidhja afatshkurtër mund të jetë ngadalësimi i trafikut. Të paktën në rrugët interurbane. Shteti le të bëjë sikur po bën punime mirëmbajtjeje, të vendosë disa birila në zona të caktuara sidomos në zona bregdetare, të bëhen rradhë kilometrike, të nevrikosemi e të turfullojmë nën diellin e nxehtë, të mpihemi nga kondicioneri i makinës...por të paktën të arrijmë në shtëpi shëndoshë e mirë.