Biden, liderëve afganë: Duhet të vendosni për fatin e shtetit tuaj

Presidenti amerikan Joe Biden, u ka bërë thirrje afganëve që të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre, pas takimit që ka zhvilluar me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe udhëheqësin e Këshillit të Lartë shtetëror për Pajtim Kombëtar, Abdullah Abdullah.

Biden i ka konsideruar liderët afganë “dy miq të vjetër”, teksa i ka pritur në Shtëpinë e Bardhë më 25 qershor dhe ka thënë se mbështetja amerikane për Afganistanin nuk merr fund, pavarësisht pse forcat ndërkombëtare janë duke u larguar pas gati dy dekadave luftë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, ulur afër Bidenit, Ghani ka thënë se respekton vendimin e presidentit amerikan për të tërhequr trupat amerikane.

Sipas tij, ky vendim e ka bërë secilin që të “rikalkulojë dhe rikonsiderojë situatën”.

Biden, në anën tjetër, ka thënë se “dhuna e pakuptimtë” që vazhdon të plagosë shtetin, duhet të ndalet, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë më të mirën “për të parë që autoritetet afganë kanë pajisjet që u duhen”.

Talibanët kanë fituar kontrollin e dhjetëra distrikteve nga forcat qeveritare në javët e fundit.

Zyrtarët afganë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke u zhvilluar luftime të aspra, pas nisjes së ofensivës nga forcat e sigurisë.

Ghani ka thënë se forcat afgane të sigurisë kanë rikthyer kontrollin e gjashtë distrikteve më 25 qershor.

Duke folur para gazetarëve, pas takimit me Bidenin, Ghani ka thënë se puna e Kabulit është që “të menaxhojë pasojat”.