Reagon presidenti kolumbian pas sulmit me armë: ‘Ky është një sulm frikacak’

Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque, reagoi dhe konfirmoi se është kryer sulm me armë ndaj helikopterit presidencial në të cilin ndodhej ai.

Duque, pas sulmit zhvilloi një konferencë të shkurtër për media në qytetin Cucuta të lidhur me rajonin administrativ Norte de Santander ku tha se ndaj helikopterit në të cilin ndodhej ai është kryer sulm "frikacak" derisa po ulej në Cucuta.

Ai theksoi se nuk kanë pësuar ndonjë dëm nga incidenti. "Mjeti ajror dhe kapaciteti i helikopterit parandaluan që të ndodhë ndonjë gjë vdekjeprurëse. E vërteta është se në helikopterin presidencial ka shenja të një sulmi frikacak ku janë vërejtur plumba", tha Duque.

Presidenti kolumbian dha mesazhin për vendosmëri në luftën kundër trafikantëve të drogës dhe organizatave të armatosura. Duque tha se sulme të tilla nuk do t'i frikësojnë.

Në anën tjetër në pamjet e publikuara nga zyrtarët bëhet e ditur se helikopterin e kanë goditur 6 plumba.

Burimet ushtarake kishin njoftuar hapjen e zjarrit ndaj helikopterit me të cilin Duque udhëtoi pas vizitës që zhvilloi në rajonin Catatumbo në verilindje të vendit.

Zyrtarët bënë të ditur se presidenti Duque realizoi një vizitë brenda ditës në bashkinë e qytetit Sardinata të zonës administrative Norte de Santander.

Gjithashtu u njoftua se po punohet për identifikimin e autorëve të sulmit.