Po fluturonte mbi 'provincën e kokainës', atentat Presidentit të Kolumbisë

Agjencia e lajmeve “Reuters”, njofton se të premten, më 25.6.2021, ndaj presidentit të Kolumbisë Ivan Duque dhe disa ministra të qeverisë së tij u organizua një atentat.

Ata u qëlluan me armë gjatë një udhëtimi pune me helikopter, ndërsa po fluturonin nga rajoni i Catatumbo drejt qytetit të Cucuta, kryeqyteti i provincës Norte de Santander.

“Është e qartë është se ky është një sulm frikacak ku vrimat e plumbave mund të shihen në avionin presidencial”, deklaroi vetë presidenti Duque.

Në helikopter ndodheshin edhe ministri i Mbrojtjes Diego Molano, Ministri i Brendshëm Daniel Palacios dhe guvernatori i Norte de Santander Silvano Serrano. Personelit të sigurisë u janë dhënë udhëzime të qarta për të gjetur personat përgjegjës.

Rajoni i Catatumbo, në kufirin mes Kolumbisë me Venezuelën është prodhuesi kryesor i kokainës. Aty veprojnë forcat gueriliase të Ushtrisë së Çlirimit Kombëtar të majtë (ELN), që refuzojnë një marrëveshje paqeje me qeverinë,  së bashku me grupe të armatosura kriminale të përfshira në trafik droge.

Këtë muaj një makinë bombë shpërtheu në një bazë ushtarake në Cucuta, duke plagosur trupat kolumbiane dhe këshilltarët ushtarakë amerikanë.