Interpoli zbulon ku fshihej dhe e arreston në Durrës, 42-vjeçarin nga Kosova

Policia e Durrësit, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZKQ Interpol Tirana, ka bërë të mundur zbulimin dhe arrestimin e shtetasit kosovar Blendi Cërmjani, 42 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë.

Sipas Policisë, arrestimi provizor i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themelore Prizeren ka lëshuar urdhër-arresti në ngarkim të tij për veprën penale "Vjedhje", parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.

Cërmjani është i dyshuar për disa vepra penale si vjedhje, vjedhje të rënda, grabitje dhe posedim të substancave narkotike.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë,  po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Kosovës.