Lukaku: Cristianos i kam zili driblimin, por mendoj se ai do të donte të...

Romelu Lukaku kundër Cristiano Ronados, një sfidë brenda sfidës në Belgjikë – Portugali, që do të zhvillohet të dielën, në orën 21:00. Nga grumbullimi i përfaqësueses belge, sulmuesi i Interit i çon një mesazh të qartë “yllit” portugez.

“Ai fitoi titullin e golashënuesit më të mirë të Serisë A, por ne fituam kampionatin. Cristianos i kam zili driblimin dhe gjuajtjen, por mendoj se ai do të donte të kishte pak nga forca ime dhe nga loja jonë si skuadër. Kur kritikët iu referuan Lewandowskit dhe Benzemasë, ata gjithmonë flisnin për sulmues të klasit botëror, ndërsa mua më përshkruanin si një qendërsulmues të mirë. Ky ishte një motiv shtesë për të punuar dhe t’u përmirësuar”.

Duke u përqendruar në sfidën me Portugalinë, Lukaku tha se nuk pret që fituesi do të përcaktohet nga penalltitë.

“Shpresojmë të fitojmë dhe ta mbyllim kualifikimin brenda 90 minutave. Ne jemi më të pjekur sesa në Kupën e Botës 2018, kur u eliminuam në gjysmëfinale nga Franca. Në vitin 2018 ishim shumë romantikë. Ne kemi mësuar se një ndeshje futbolli mund të fitohet në shumë mënyra. Për t’u bërë kampionë, duhet të dish të vuash dhe vuajtja përfshin faktin që duhet të qëndrosh larg familjes për shumë ditë.”

Sulmues bleg, gjithsesi, e ka të qartë se sa e vështirë do të jetë përballja me luzitanët:

“Portugezët kanë cilësi individuale dhe kolektive, ata janë shumë krenarë për vendin e tyre, por ne do të bëjmë gjithçka për t’u kualifikuar”.