Patos, përcillet sot në varreza një familje e bukur, që u shua në aksident

Patosi do të përcjellë sot në varreza, një familje të bukur, që u shua në aksidentin e djeshëm në aksin rrugor Vlorë – Fier.

Eduart Gushi me bashkëshorten e tij Silvanën dhe dy vajzat e tyre të vogla, Evën 9-vjeçare dhe Anastatian 14-vjeçare, ishin nisur me pushime në Vlorë kur aksidenti I tmerrshëm u mori jetën duke shënuar një tragjedi që tronditi shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.

Familja Gushi jetonte prej 20 vjetësh në Greqi dhe atje jetojnë edhe prindërit e Eduardit. Ata kishin dy vjet pa ardhur ne atdhe për shkak të pandemisë.

Sot, në qytetin e Patosit, në orën 10:00 do të përcillen për në banesën e fundit prindërit Eduart dhe Silvana Gushi me dy vajzat e tyre, Evën dhe Anastasian. Bashkia e qytetit ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit e katër anëtarëve të një familjeje. 

"I trishtë dhe i dhimbshëm lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të 4 bashkëqytetarëve tanë, shkroi bashkia në faqen zyrtare. -  Me miqtë e familjarët e tyre sot është pikëlluar edhe i gjithë qyteti.

Bashkia e Patosit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të familjes Gushi që humbën jetën tragjikisht në një aksident në aksin Fier-Vlorë.

Përmes një mbledhjeje urgjente të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Patosit vendosi të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore për këtë familje. U prehshin në paqe. I qoftë dheu i lehtë!"