"Do të vras siç bëri piloti me gruan e tij", gruaja denoncon burrin shqiptar në Greqi

Një 39-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia greke, pas denoncimit të bërë nga gruaja e tij, që pretendon se bashkëshorti e përdhunon.

Sipas mediave helene, ngjarja e rëndë ka ndodhur në Rodos. Gruaja 27 vjeçe tha se prej vitesh përballet me kërcënime të bashkëshortit dhe dhunime.

Madje, ajo ka treguar edhe një episode, ku burri i ka thënë: “Ti je gruaja ime dhe unë bëj çfarë të dua me ty. Do të të vras, ashtu siç bëri piloti me bashkëshorten”.

Menjëherë pas denoncimit, policia helene arrestoi 39-vjeçarin shqiptar. Ky i fundit ka hedhur poshtë pretendimet e gruas së tij.

Në dëshminë në komisariat, burri tha se gjithçka ka qenë një keqkuptim. Sipas 39-vjeçarit, mes tyre ka pasur debate, por jo dhunime e kërcënime. Çifti ka 10 vjet të martuar dhe kanë dy fëmijë.