Vuçiç kërcënon opozitarin Jeremiç, e fton për qërim hesapesh në Presidencë

Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiç dhe krerët e asaj partie, Miroslav Aleksiç, Borislav Novakoviç dhe Vladimir Gajiç, u paraqitën sot në presidencën e Serbisë pasi presidenti, Aleksandar Vuçiç i ftoi ata publikisht të qërojnë hesapet.

“Vuçiç zbriti në zyrën e regjistrimit të ndërtesës së presidencës në një gjendje dukshëm të mërzitur. I rrethuar nga roje të shumta sigurie, ai m’u afrua me nervozizëm në fytyrën time dhe filloi të më fyente para dëshmitarëve me fjalorin më primitiv të rrugës”, tha Jeremiç.

“Meqenëse ai insistoi në një konfrontim fizik, unë i ofrova që të dilte jashtë, por ai nuk kishte guximin të bënte diçka të tillë. Pastaj i ofrova një duel televiziv, të cilit ai në mënyrë të qartë u përgjigj se nuk do ta bënte. Pas disa minutash sjellje të pakontrolluar, ai u kthye dhe u largua si qyqar. Është e qartë se ai nuk e priste që dikush mund të guxonte t’i trokiste në derë dhe ta pyeste nëse ishte normal”, shtoi Jeremiç.

Jeremiç deklaroi se pas “performancës së sotme plotësisht të mërzitur të Vuçiçit”, ai ka frikë se presidenti nuk është i aftë të kryej funksionin më të lartë shtetëror, sepse “në një gjendje të çmendur, ai po abuzon me pushtetin që në mënyrë antikushtetuese përqendroi në duart e tij”.

Jeremiç konsiderohet si rivali kryesor politik i presidentit serb, i cili deri më tani i është shmangur përballjeve televizive dhe shpeshherë nuk i është përgjigjur akuzave.