Aksidenti tragjik ku u shua një familje/ Të rinjtë shtrihen 'si të vdekur' para Ministrisë së Brendshme

Me dhjetra qytetarë i janë bashkuar të premten në darkë protestës së mbajtur para Ministrisë së Brendshme në shenjë solidarizimi me katër anëtarët e një familje nga Patosi, të cilët u shuan në një aksident tragjik rreth orës 8.30 të mëngjesit në aksin rrugor Fier-Vlorë, në vendin e njohur si “Kripa”.

Po ashtu, referuar pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa të rinj së bashku me biçikletat e tyre, bllokuan rrugën dhe u shtrinë përdhe para ministrisë në shenjë solidarizimi dhe njëherësh revolte për mospërgjegjësinë e institucioneve shtetërore edhe përballë ngjarjeve kaq tragjike.

Mediat transmetuan edhe një çift, së bashku me dy fëmijët e tyre, të cilët në shenjë homazhi për viktimat e aksidentit ndezën qirinj para Ministrisë së Brendshme, me arsyetimin se ky është institucioni që duhet të marrë masa për parandalimin e aksidenteve.

Eduart Gushi 44 vjeç, bashkëshortja e tij Silvana 33 vjeçe dhe dy vajzat e çiftit, Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeç u shuan në aksidentin tragjik të kësaj të premteje.

Familja sapo ishte kthyer nga Greqia dhe ishte duke shkuar me pushime në bregdet, kur makina e tyre u përplas nga tjetër automjet, në timonin e së cilës ndodhej 22-vjeçari Igli Madani. Ky i fundit u arrestua më pas nga policia.