FOTO/ Presidenti Meta dekoron rekordmenët e atletikës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekoruar ditën e sotme dy rekordmenët e shquar të atletikës shqiptare, Rauf Dimraj dhe Pavllo Mihalin.

Dimraj, një sportist i shquar i dalë nga radhët e Dinamos, është shpallur mbi 22 herë kampion, ndërsa Pavllo Mihali i dalë nga radhët e Tiranës, kampion absolut në kërcimin me shkop duke vendosur dhe rekord kombëtar me 5 m 21 cm.

Janë të shpeshtat rastet kur Presidenti Meta kujton sportistët e shquar duke i dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”, teksa në postimin e tij jep dhe një mesazh duke e cilësuar sportin si një mundësi e shkëlqyer për të larguar të rinjtë nga veset e këqija.

Postimi i Presidentit Meta

“Rauf Dimraj dhe Pavllo Mihali janë dy nga rekordmenët më të shquar të atletikës tonë, që me rezultatet e shkëlqyera të arritura ndër vite kanë lartësuar prestigjin dhe dinjitetin e sportit shqiptar në botë.

Mbi 22 herë i shpallur kampion me “Dinamo”-n, fitues i 2 spartakiadave kombëtare dhe i 8 garave ndërkombëtare, më pas trajner i Ekipit Kombëtar, Rauf Dimraj është gjithashtu edhe një nga hartuesit kryesorë të platformës shkencore të edukimit fizik në vendin tonë.

Ndërsa Pavllo Mihali, kampion absolut i “Tiranës” dhe i Ekipit Kombëtar në kërcimin me shkop, është i pari që kaloi me sukses dhe vendosi rekordin kombëtar me lartësinë 5m 21cm, fitues i Medaljeve të Arta në Spartakiadat Kombëtare dhe i 13 Kupave të Republikës.

Me mirënjohje për këto rezultate të shkëlqyera, si dhe për kontributin e shquar të dhënë për zhvillimin cilësor të sportit shqiptar, pata kënaqësinë t’i vlerësoja me Titullin e lartë dhe të merituar “Mjeshtër i Madh”.

Të mbështetim më shumë atletikën, mbretëreshën e të gjitha sporteve, si një mundësi e shkëlqyer për t’i larguar të rinjtë nga veset dhe orientuar drejt vlerave sportive, por njëkohësisht edhe për të lartësuar imazhin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive.