Rëndohet bilanci në pallatin e shembur/ 159 të zhdukur. 4 të vdekur në Florida

Të paktën katër persona humbën jetën pas shembjes së një godine 12 katëshe në periferi të Majamit, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për 159 të pagjetur. Kryebashkiakja e qarkut Majami-Dejd tha se numri i të zhdukurve është rritur nga 99 sa ishte në fillim dhe se tre trupa të tjerë pa shenja jete u nxorën nga rrënojat gjatë natës. Vdekja e një personi tjetër ishte raportuar të enjten. 110 persona të tjerë, vendndodhja e të cilëve fillimisht nuk dihej, janë gjetur dhe janë shpallur të sigurt.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit e mundshëm nën rrënojat e ndërtesës 12 katëshe në periferi të Majamit, ndërsa numri i viktimave vazhdon të rritet.

Për fat të keq, kjo ishte një natë tragjike. Kemi arritur të gjejmë dhe shpallim të sigurt 120 persona, që është një lajm shumë i mirë, por numri i të pagjeturve ka shkuar në 159. Po ashtu, ju njoftojmë se numri i viktimave ka arritur në katër. Dua të jem e qartë lidhur me numrat. Ata mund të ndryshojnë vazhdimisht. Ne do të vazhdojmë t’ju inforojmë lidhur me ta. Tani mund të konfirmojmë se kemi katër vdekje”, njoftoi kryebashkiakja e Majami-Dejd, Daniella Levine Cava.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shtetin e Floridës dhe urdhëroi ndihma federale për të përforcuar përpjekjet e autoriteteve shtetërore dhe atyre lokale në tejkalimin e kësaj situate.