Shkëndija mposht Laçin me përmbysje në miqësore

Shkëndija e Tetovës fitoi 2-1 me përmbysje miqësoren me Laçin, që u zhvillua në qytetin e Strugës në kuadër të përgatitjeve të të dyja skuadrave për përfaqësimin në Europë, Shkëndija në Champions League dhe kurbinasit në Conferencë League.

Pas një starti në ekuilibër të plotë, takimi u zhbllokua në minutën e 37-të nga Dejan Zarubica, i cili gjendur i pambuluar në zonë shënoi me lehtësi duke i dhënë epërsinë Laçit.

Shkëndija humbi dy raste të mirë me Ibraimin dhe Doriev, për të ardhur më pas në minutën e 74-t, kur kuqezinjtë tetovarë fituan një 11-metërsh për prekjen e topit me dorë nga një futbollist i Laçit, I shndërruar në gol nga Ibraimi, që fillimisht u ndal nga portieri, por në tentativën e dytë e dërgoi topin në rrjetë.

Ibraimi iu afrua pranë golit të dytë 11-të minuta para fundit kur pas një skeme nga gjuajtja e lirë, e djathta e tij u ndal në traun e portës. Goli i dytë gjithsesi do të vinte disa sekonda më vonë, kur Dashmir Elezi gjendet  para portës dhe realizoi të dytin për Shkëndijën.