Qytetarët protestojnë për heqjen e abonesë: Vendimi i bashkisë rëndon ekonominë tonë

Qytetarët e Tiranës janë mbledhur sërish këtë të premte përpara bashkisë dhe kanë përsëritur thirrjet për kthimin e abonesë.

Të revoltuar, ata shprehen se vendimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj për heqjen e aboneve të përgjithshme po ua thellon më shumë varfërinë, ndërsa shtuan se një pjesë të rrugës zgjedhin ta bëjnë në këmbë.

“Heqja e abonesë është një veprim zhvatës dhe i pamoralshëm. Vendimi më i poshtër që mund të ketë ndodhur në 30 vjet në Tiranë është heqja e abonesë për fukarenjtë. Fukarasë i ke hequr punën, i ke hequr rrogën, i ke hequr pensionin.

Ktheni abonetë sa më parë sepse do ua djegim autobusët. Në bashkinë tuaj kemi për t’ua djegur. Në asnjë vend të botës nuk kam dëgjuar që të hiqen abonetë. Kam dy autobusë për rrugën që bëj përditë dhe detyrohem që gjysmën e rrugës e bëj në këmbë. Kam fëmijët në shkollë dhe detyrohen të bëjnë rrugën në këmbë”, thanë qytetarët.

Heqjen e abonesë së përgjithshme, qytetarët e shikojnë si një marrëveshje mes qeverisë dhe kompanive të autobusëve, me qëllim kompensimin e tyre, për humbjen e shkaktuar nga masat e pandemisë.

Por, përveç kostove për abonetë e linjave, qytetarët shprehen se kondicionerët në urbane nuk ndizen edhe pse temperaturat janë të larta.