Shembja e ndërtesës në Miami, çfarë ndodhi dhe sa shpejt?

Një ndërtesë banimi 12-katëshe në veri të Miamit është shembur, duke bllokuar njerëzit brenda.

Shpëtuesit po kërkojnë me dëshpërim të mbijetuarit nën rrënoja. Për këtë ngjarje, dihen disa gjëra deri më tani.

E gjithë ngjarja ka ndodhur me të vërtetë shpejt. Një pjesë e madhe e Champlain Touers, në breg të detit në qytetin Surfside, u shkatërrua për njëherë në orët e para të së enjtes, raporton BBC.

Janë dashur vetëm disa sekonda që ndërtesa të bjerë në tokë. Njerëzit përshkruan se kishin dëgjuar zhurma që dukeshin si bubullimë përpara se të shihnin një re të madhe pluhuri. Njëri nga qytetarët e krahasoi skenën me sulmet e 11 shtatorit 2001 mbi Kullat Binjake në Nju Jork.

Gati gjysma e ndërtesës është shembur. Ndërtesa përmbante 136 apartamente dhe 55 prej tyre u rrënuan, duke lënë grumbuj mbeturinash. Imazhet e bëra para dhe pas shembjes tregojnë shkallën e dëmtimit.

Shtresat e copëtuara dhe të kompresuara të dyshemeve të shembura të ndërtesës mund të shihen në tokë. Shembja ndodhi ndërsa shumë njerëz ishin ende duke fjetur.

Mobiljet dhe sendet e banorëve mund të shiheshin në ato që kishin mbetur nga shtëpitë e tyre. Shumë persona ishin bllokuar në rrënoja.

Të paktën katër njerëz janë vrarë, por dhjetra të tjerë janë zhdukur. Ndërsa familjet dëshpërimisht presin për lajme, ekipet e kërkimit kanë punuar gjatë gjithë kohës duke përdorur kamera hidrosanitare dhe qen të stërvitur posaçërisht për të pastruar rrënojat për të mbijetuarit.

Kërkimet janë të rrezikshme, për shkak se shumë rrënoja mund të shemben edhe mbi kërkuesit.