Maqedonia e Veriut zgjedh trajnerin e ri

Vetëm pak ditë pasi Angelovski dha dorëheqjen nga drejtimi i Maqedonisë së Veriut, këta të fundit nuk kanë pritur dhe kanë caktuar menjëherë trajnerin e ri të skuadrës.

Blagoja Milevski do të jetë trajneri i ri i Maqedonisë së Veriut.

50-vjeçari aktualisht drejtonte Shpresat e 21-vjeçarëve të Maqedonisë, por që nga 1 korriku do të marrë drejtimin e kombëtares A.

Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti i Federatës Maqedonase të Futbollit, Muhamed Sejdini, duke zyrtarizuar në krye të skuadrës Mileskin.

“Vizioni për të ardhmen tonë të futbollit me Blagoja Milevski si trajner i kombëtares maqedonase A është i qartë. Ai është njeriu që rigjeneroi rrjedhën e gjakut të futbollit maqedonas, krijoi një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh të cilët tashmë kanë luajtur në dy Kampionate Evropiane, të rinj dhe të moshuar, dhe ne jemi të bindur se kjo rrugë duhet të vazhdojë”, tha Sejdini.

Ndërkohë Blagoja Milevski është një ish-futbollist i cili ka lindur në Maqedoni dhe pjesën më të madhe të karrierës si lojtar e ka kaluar në Maqedoni, por ka luajtur dhe për Mariborin e Sllovenisë dhe grekët e Paniliakos.