Femrat protestuese në Kolumbi ngrihen kundër dhunës seksuale policore

Një grua që ishte ndarë nga grupi me të cilin po protestonte ndjeu një tërheqje në flamurin e bërë në shtëpi që e mbante si pelerinë gjatë një demonstrate anti-qeveritare në kryeqytetin, Bogota, në orët e para të 3 qershorit.

"Një grup prej afro tetë oficerësh policie më rrethuan," - tregon gruaja e cila ka kërkuar që emri i saj të mos jepet për arsye sigurie. "Njëri prej tyre tha: 'Kjo është e mirë ta përdhunosh'."

"Ai kishte një plumb dhe po ma tregonte nga afër. Unë i thashë bëje," tha ajo, në mënyrë sfiduese. "Ai thjesht donte të më trembte," shpjegoi ajo, duke shtuar se protestues të tjerë erdhën për ta shpëtuar shpejt pasi oficeri e kishte kërcënuar.

Abuzimi verbal, kërcënimet e dhunës seksuale dhe diskriminimi nuk kanë qenë incidente të izoluara gjatë valës së protestave anti-qeveritare që janë përhapur nëpër Kolumbi që nga 28 Prilli.

Ka pasur të paktën 113 raste të dhunës me bazë gjinore, sipas një raporti nga Zyra e Ombudsmanit, një agjenci zyrtare qeveritare e ngarkuar me mbikëqyrjen e mbrojtjes së të drejtave njerëzore dhe civile të qytetarëve.

"Ata filluan të na quanin kurva,rruspi, lavire", thotë Karla Cardoso për abuzimin që oficerët e policisë hodhën mbi të dhe gratë e tjera gjatë një proteste anti-qeveritare në Medellin në 20 maj. "Ata na pyetën se çfarë po bënim natën, duke kërcënuar se do të na vrisnin," thotë studenti 25-vjeçar.

Dhe sipas Temblores, një OJQ që monitoron dhunën policore, ajo jo gjithmonë ndalet te kërcënimet. OJQ-ja thotë se ka marrë raporte nga 28 protestuese të cilat pretendojnë se ishin abuzuar seksualisht nga anëtarët e forcave të sigurisë. Ato përfshijnë akuza se ishin detyruar të zhvisheshin lakuriq, të shtriheshin poshtë dhe ishin përdhunuar.

Shtatë akuza për dhunë seksuale nga forcat e sigurisë janë duke u hetuar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm. Midis tyre është rasti i një vajze 17-vjeçare e cila dyshohet se ishte abuzuar seksualisht nga policia në qytetin Popayán. Vajza vrau veten një ditë pas abuzimit.”