VIDEO/ Trafikantët e kthyer në biznesmenë. Aty ku ‘Drejtësia e Re’ nuk guxon të hetojë

Drejtësia e re nuk ka guxuar të hetojë persona të lidhur me botën e krimit, të cilët kanë lidhje të afërta me zyrtarët socialistë, duke përfituar tendera publikë. Edmond Bego, mik i Taulant Ballës është shndërruar në biznesmen ndërtimi, ndërkohë që kompanitë e tij kanë marrë licenca minerare apo gurore. Një tjetër emër i dënuar në Spanjë është Anton Gjinaj, i cili vijon të jetë biznesmenë në fushën e ndërtimit, ku njëkohësisht përfiton dhe tendera nga para publike të taksapaguesve shqiptarë.

Nga SYRI TV

Autoritetet hetimore shqiptare nuk kanë arritur të tregojnë aspak guxim për të hetuar lidhjet e krimit të organizuar me sektorin e ndërtimit, edhe kur sinjalet e qarta mbërritën nga hetimi i Anti-mafias italiane, e cila zbuloi se eksponentë të Ndrangheta-s tashmë kishin shtrirë tentakulat e tyre në lejet e kullave në qendër të Tiranës.

Hetimet e udhëhequra nga Nikola Graterri janë paraprirë, por edhe janë pasur nga raporte të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat e shohin vrullin e ndërtimeve në qendër të qyteteve kryesore dhe në bregdet si një formë efikase e krimit të organizuar për të pastruar paratë. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, pas presionit publik, u detyrua të njoftonte nisjen e një hetimi penal mbi të dhënat e anti-mafias italiane.

Rreth 7 muaj pas këtij qëndrimi publik, nuk rezulton të ketë asnjë veprim konkret nga prokurorët specialë. Ndërkohë, kronika mediatike shqiptare njeh raste të eksponentëve të krimit, të përfshirë në rrjetin e lejeve të ndërtimit.

Edmond Bego, një ish-i dënuar si anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes, u përfshi në sektorin e ndërtimit, pasi përfundoi llogaritë me drejtësinë. Kompanitë e tij tashmë zotërojnë licensa minerare, ndërkohë që kanë përfituar para publike, kryesisht si nënkontraktor i investimeve të mëdha publike gjatë qeverisjes së Rilindjes së Edi Ramës. Bego rezulton të jetë porositësi i një projekti 60 milionë euro për ndërtimin e një kompleksi rezidencial në zonën e Unazës së Re në Tiranë.

Aq interesant iu duk Bashkisë së Tiranës ky projekt i Begos, sa synoi të devijonte edhe rrjedhën e Lanës për t’i krijuar terrenin e nevojshëm ish-kriminelit, i shndërruar në investitor. Edmond Bego duhet të ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit dhe duhet të justifikonte të ardhurat e tij. Por, me shumë mundësi, lidhja e tij e ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka shërbyer si një certifikatë paprekshmërie.

Një tjetër emër i lidhur me krimin e organizuar dhe i shtrirë gjerësisht në sektorin e ndërtimit është Anton ose Pashk Gjinaj. Pronari i kompanisë ‘Alesion 2014’ u arrestua në prill të këtij viti në Mal të Zi, pasi kërkohej nga autoritetet spanjolle për të vuajtur një dëm prej 8 vjetësh për trafik narkotikësh.

Megjithëse ai ishte i kërkuar në të gjithë Europën, në Shqipëri Gjinaj rezultonte si një biznesmen i suksesshëm, i përfshirë drejtpërdrejtë ose si i nënkontraktuar, në ndërtimin e komplekseve më të rëndësishme rezidenciale në Tiranë.

Në maj 2021, në Kosovë sekuestrohet një sasi gjigante  prej 400 kilogramë kokainë. Në operacionin policor u arrestun 7 persona, ndër të cilët edhe Izet Sheqiri, pronar i kompanisë ‘MC Food’, e cila kishte porositur kontenierin ku u zbulua sasia e narkotikëve të fortë. Sheqiri rezulton të jetë bashkëpronar me Bledar Habilin, i një kompanie me të njëjtin emër, ‘MC Food’.

Kavajasi Habili nuk rezulton, të paktën deri më tani, të jetë i përfshirë në hetim, nga autoritetet shqiptare. Ai rezulton të jetë pronar edhe i një kompanie ndërtimi, së bashku me kushëririn e Elvis Roshit, ish-kryebashkiak i Kavajës, i shkarkuar nga detyra për shkak se kishte fshehur të shkuarën e tij të lidhur me trafik dhe krim të organizuar.