Prag lufte në Krime/ Rusia- Anglisë: Herën tjetër do iu bombardojmë

Një zyrtar i lartë rus ka paralajmëruar britanikët se herë tjetër do i bombardojnë anijet e tyre nëse lundrojnë shumë afër Krimesë. Reagimi erdhi pasi një destrojer britanik, HMS Defender, iu afrua shumë rajonit të Krimesë të mërkurën. Rusët reaguan duke qëlluar për paralajmërim.

Sipas Daily Mail, destrojeri britanik ishte futur brenda kufirit prej 12 miljesh të Krimesë. Rusia pretendon se ky është territori i saj, por Perëndimi e sheh si pjesë të ujërave ndërkombëtare.

Në mesin e tensioneve të një dite më parë, Rusia ngriti në ajër 20 avionë luftarakë Su-24.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov tha se herën tjetër do ketë bomba. “Ne mund të bombardojmë jo vetëm në drejtim, por edhe në shënjestër, nëse kolegët tanë nuk e kuptojnë”.

Por Britania thotë se nuk i njeh këto kërcënime. Ministri britanik, George Eustice tha se ata do vazhdojnë të lundrojnë në atë zonë. “Ne nuk e kemi pranuar kurrë aneksimin e Krimesë, këto janë ujëra territorialë të Ukrainës,” tha ai.

Rusia pretendon se ka qëlluar ndaj destrojerit britanik dhe ka hedhur katër bomba në ujë. Daily Mail raporton se marinarët britanikë nxituan që të pajisen me veshjet kundër zjarrit, pasi menduan se ishte goditur anija e tyre.

Tensioni që zgjati një orë është më alarmuesi mes dy vendeve prej shumë kohësh.