Statuja e Teodor Ruzveltit në muzeun e Nju Jorkut do të hiqet prej aty

Nju Jork   - Një statujë e famshme e Teodor Ruzveltit në hyrje të Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore do të hiqet pas vitesh kritikash si symbol i nënshtrimit kolonial dhe diskriminimit racor.

Komisioni i Projektit Publik të Qytetit të Nju Jorkut votoi njëzëri të hënën për të zhvendosur statujën, e cila e përshkruan ish-presidentin mbi kalë me një indian amerikan vendas dhe një afrikan përbri kalit, sipas "The New York Times".

Gazeta tha se statuja do të shkojë në një institucion kulturor ende për t’u përcaktuar, kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Ruzveltit.

Statuja prej bronzi ka qëndruar në hyrje të Parkut Qendror të muzeut që nga viti 1940.