Rama lë në duart e ish-zëdhënëses së PS kamxhikun e portaleve

Duke shfrytëzuar edhe një herë të fundit mbetjet e opozitës në kuvend, Edi Rama ka kryer një lëvizje të beftë që vulos kapjen e institucionit kryesor të rregullimit të medias në vend, Autoritetin e Mediave Audiovizuale. Ish zëdhënësja e Partisë Socialiste përgjatë viteve të opozitës, Armela Krasniqi doli si kandidate kryesore për drejtimin e Autoritetit të Mediave Audiovizuale nga socialistët, përgjatë një mbledhjeje formale të Komisionit parlamentar të Medias.

Ligji parashikon që mazhoranca të propozojë 4 kandidatura për kryetarin e AMA-s, dhe për të shmangur emërimin e personave thellësisht politikë në drejtim të institucionit, i jepet mundësia opozitës të eleminojë dy prej kandidaturave. Dy të tjerat vazhdojnë më garën dhe votohen në parlament.

Gjasat janë që Armela Krasniqi të ishte një emër që do të eleminohej nga PD, si një prurje direkte nga korridoret e selisë rozë, pasi ka qenë zëdhënëse e PS përgjatë viteve të 2006-2013. Dhe për ta shmangur këtë problem, mazhoranca e ka mbyllur që tani procedurën me praninë e deputetëve-mbetje të PD-LSI në Kuvend, të cilët e kanë lënë të vazhdojë më tej kandidaturën e Krasniqit. Pritet që në seancën e radhës ajo të votohet në parlament.

Përballë kandidaturës së ish zëdhënëses së PS-së në Komisionin e Mediave do të jetë Alketa Dibra, një juriste që tha se kishte parë njoftimin në faqen e internetit të parlamentit dhe kishte kandiduar.

Krasniqi, që vjen nga drejtimi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare e shmangu faktin që ka qenë zëdhënëse e Partisë Socialiste, ndërsa fliste për të shkuarën e saj. Ajo tha se kishte nisur punën e saj si reportere në TV Shijak dhe në TVSH dhe më pas kishte punuar si drejtuese e ATSH.

Sipas ligjit të ri që ka përgatitur mazhoranca, Autoriteti i Mediave Audiovizuale shndërrohet në një kamxhik të medias, në veçanti të asaj online. Pasi gjykon përmbajtjen e lajmeve, AMA-s i jepet e drejta të fshikullojë me gjoba të rënda portalet dhe televizionet që sipas AMA-s kanë gabuar. Madje gjobat e AMA-s, që do të rëndojnë në veçanti portalet, do të ekzekutohen para vendimit të gjykatës sipas ligjit të ri. Kjo pikë që është kundërshtuar ashpër nga gazetarët, por edhe nga Komisioni i Venecias.

Sipas Komisionit të Venecias, institucionit të AMA-s i janë dhënë fuqi të mëdha administrative përballë mediave online, gjë që është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online, duke nisur që nga kufizimet, pasi ka dyshime mbi pavarësinë e këtij institucioni. “Këto fuqi të reja nuk duhet t’u besohen institucioneve të tilla pa u siguruar më parë nëse janë të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave, ose interesat e korporatave të lidhura me politkën” – shprehej Komisioni i Venecias.

“Do të ishte e dobishme edhe të rishikohet metoda e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s për t’u siguruar që këto institucione kanë një përbërje pluraliste, me individë të kualifikuar, përfaqësues të bashkësisë së medias, dhe që gëzojnë një autonomi të besueshme prej qeverisë dhe kontrollit të korporatave” – thuhej në Opinionin e Venecias.

Sipas Komisionit të Venecias, ligji zmadhonte rreptësinë e masave ndëshkuese dhe do të nxiste auto-censurën tek gazetarët, duke dëmtuar debatin politik, që është thelbësor për cdo demokraci. Zbatimi i këtyre rekomandimeve ishte një kërkesë së fundmi edhe e parlamentit hollandez që pranoi të mbështeste hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Armela Krasniqi u pyet nga deputetët nëse kishte një opinion të sajin për ligjin që zgjeron kompetencat e AMA-s dhe për opinionin e Venecias që pati shumë vërejtje për ligjin. Përgjigjia ishte sikur e jepte zëdhënsja e PS-së.

“Nuk mendoj se është AMA, institucioni që duhet ta vlerësojë ligjin për mediat online” tha Krasniqi./Lapsi.al/