SHBA paralajmëron për inflamacion të rrallë të zemrës nga vaksinat Pfizer dhe Moderna

SHBA zbuloi lidhje midis vaksinave dhe rasteve të inflamacionit tek adoleshentët dhe të rriturit në moshë të re, por thotë se përfitimet tejkalojnë rreziqet

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të shtojë një paralajmërim për vaksinat Covid të prodhuara nga Pfizer / BioNTech dhe Moderna rreth rasteve të rralla të inflamacionit të zemrës tek adoleshentët dhe të rriturit në moshë të re, njoftoi agjensia të mërkurën.

Grupet këshilluese të Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që u takuan për të diskutuar rastet e raportuara të gjendjes së zemrës pas vaksinimit, zbuluan se inflamacioni tek adoleshentët dhe të rriturit në moshë të re ka të ngjarë të ketë lidhje me vaksinat, por që përfitimet e vaksinave duket se e tejkalonin rrezikun .

Rregullatorët shëndetësorë në disa vende kanë hetuar nëse dozat e Pfizer /BioNTech dhe Moderna duke përdorur teknologjinë e re mARN paraqesin ndonjë rrezik dhe, nëse po, sa serioz.

CDC tha që pacientët me inflamacion të zemrës pas vaksinimit në përgjithësi shërohen nga simptomat dhe bëhen mirë.

Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, i bashkuar me grupe udhëheqëse të mjekëve amerikanë dhe zyrtarë të shëndetit publik, nxori një deklaratë duke nënvizuar se vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe se efekti anësor i zemrës është "jashtëzakonisht i rrallë".

"Ne inkurajojmë me forcë të gjithë moshat 12 vjeç e lart që kanë të drejtë të marrin vaksinën nën Autorizimin e Përdorimit Emergjent, për t'u vaksinuar," tha Departamenti.

Mjekët dhe spitalet janë paralajmëruar nga CDC për të parë simptomat e miokarditit ose perikarditit, dhe paralajmërimi i FDA do të rrisë më tej ndërgjegjësimin.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha të Mërkurën se varianti më ngjitës Delta, i identifikuar së pari në Indi, do të përfaqësojë 90% të të gjitha viruseve Covid-19 që qarkullojnë në Bashkimin Evropian deri në fund të Gushtit.

Njoftimi i bëri jehonë një paralajmërimi të ngjashëm nga Organizata Botërore e Shëndetit javën e kaluar e cila tha se varianti po bëhej dominues globalisht.

Numri i amerikanëve që marrin dozën e tyre të parë të vaksinës është ulur rreth 85% që kur arriti kulmin në mes të prillit dhe ndoshta nuk do të arrijë të përmbushë qëllimin e Joe Biden për të dhënë të paktën një dozë të 70% të të rriturve deri më 4 korrik.