VIDEO/ Kim, në alarm për Reformën për Drejtësi: Të ndalojmë së shtiruri…

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, po shfaqet së fundmi mjaft e shqetësuar për mënyrën se si po ecën përpara Reforma në Drejtësi. Edhe këtë të mërkurë ajo dha mesazhe të forta për drejtuesit e institucioneve të saj, duke i paralajmëruar se kanë në dorë të ardhmen e brezave të vendit.

Në një aktivitet të zhvilluar mëngjesin e sotëm (23 qershor 203) për këtë reformë, ku të pranishëm ishin edhe krerët e KLGJ dhe KLP, kryediplomatja amerikane tha se ata kanë një rol thelbësor në çuarjen përpara të reformës dhe theksoi se nëse ata nuk guxojnë ta bëjnë këtë, kostot do t’i paguajnë brezat e ardhshëm.

Mes të tjerash, ambasadorja Kim iu drejtua me një mesazh të fortë dhe të prerë edhe politikanëve dhe gjithë sistemit gjyqësor duke ju bërë thirrje që të ndalojnë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara.

“Është puna juaj për të vendosur. Këshilli duhet të caktojë mirë standardet dhe kodin etik. Si KLD e KLP kanë shumë punë përpara, por nuk jeni vetëm në këtë punë. Ne kuptojmë trysninë dhe kuptojmë rëndësinë e ecjes përpara të reformës në drejtësi për të mirën e këtij shteti. Ky është momenti. Ju keni rol për të luajtur për të ardhmen.

Brezi i ardhshëm varet nga kjo. Shpresoj që të kemi mundësi më të mirë. Kjo është e vështirë. Ka kosto personale dhe profesionale, por është një sakrificë që ia vlen. Sepse përfitimet do të jenë për Shqipërinë. Nëse ne nuk paguajmë kostot, brezat e ardhshëm do të paguajnë kostot dhe nuk mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet bërë për këtë vend”.

"Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë".

"KLP duhet të plotësojë detyrën e tij për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar vetingun. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga vetingu ka qenë alarmuese. Por, KLP ka mundësinë për të rikthyer procesin ne shtegun e duhur. Këshilli duhet të veprojë tani për të bërë një vlerësim të sistemit, duke bërë hartësimin gjyqësor dhe duke iu kërkuar llogari magjistratëve".