VIDEO/ Tabaku: Shqipëria e dyta në botë për korrupsion, rënie drastike e investimeve të huaja në vend

Deputetja e zgjedhur e PD-së Jorida Tabaku, në një intervistë gjate Edicionit te Pasdites në SYRI TV, deklaroi se sipas raporteve të ndërkombëtare, Shqipëria është e dyta në botë për nivelin e korrupsionit.

Tabaku thekson se një gjë e tillë pengon sipërmarrësit të investojnë në vendin tonë.

'Korrupsioni trend në rritje dhe e pësojnë bizneset në kurriz të tyre, por edhe qytetarët, kushdo që ka punë me administratën publike apo raporte të tjera, me ndërveprime që kanë lidhje me paranë. Jemi të dytët në botë për korrupsion. Shqipëria ka vuajtur në tetë vitet e fundit, ka rënie të investimeve të huaja.

Faktori kryesor që përmendin investitorët e huaj për pengesë për të bërë biznes në vendin tonë është korrupsioni i lartë. Në vendin tonë, kemi taksat më të mëdha ndaj biznesit në gjithë Ballkanin Perëndimor. Kemi edhe pabarazi në konkurrencë, e vendi ynë është krahas vendeve afrikane. Dihet se 60 përqind e xhiros e bizneseve në vend shkojnë për shtetin', tha Tabaku per moderatoren Armela Ferko.

Jorida Tabaku vlerësoi se janë shtuar frikshëm kriteret për integrimin e vendit tonë në BE.

'Konferenca e Parë Ndërqeveritare thjesht i hap rrugën përmbushjes më tej të kritereve për hapje të negociatave. Çështja e korrupsionit, e zgjedhjeve dhe mediave ende nuk është zgjidhur. Kriteret janë rritur në mënyrë të paprecedent, do të fillojnë thjesht bisedimet, por nuk do të thotë se do kemi hapje të negociatave. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të bashkuara, ne kemi qenë bashkë me Malin e Zi, e tani jemi ndarë nga ky vend e jemi shumë mbrapa', u shpreh Tabaku.