Alarmi nga ndërkombëtarët: Në Shqipëri 'monopolet' po kapin shtetin

Shqipëria ka rrezikun më të madh të kapjes së shtetit nga bizneset monopol, përmes korrupsionit të nivelit të lartë.

Ky është njëri ndër rezultatet e raportit “Ballkani Perëndimor 2020: Rreziqet e kapjes së shtetit dhe reformat në politika” botuar javën e fundit nga organizata “Lidership për Zhvillim dhe Integritet në Evropën Juglindore” (SELDI), raporton exit.

Raporti veçon Shqipërinë dhe Kosovën për nga presioni më i lartë nga bizneset për të monopolizuar sektorë të ekonomisë. Energjitika ka rrezikun më të lartë, pasi kontrolli i saj është i përqendruar, mungon transparenca dhe administrimi i saj nga qeveria është joefikas.

Nga ana tjetër, vetë bizneset në Shqipëri ankohen, se korrupsioni është faktori më i rëndësishëm për ekonominë informale në vend. 72% e bizneseve besojnë kështu dhe se qeveria nuk i përdor si duhet taksat e tyre për të ofruar shërbime më të mira publike.

Gjetje tjetër e raportit është, se banorët e rajonit të Ballkanit, e tolerojnë shumë korrupsionin. Kjo tregon se integriteti i institucioneve të qeverive të këtyre vendeve është i ulët.
Nga ata që besojnë se korrupsioni është i papranueshëm, 62% mendojnë se do të jenë viktima të zyrtarëve që u kërkojnë rryshfet. Kjo shifër është më e lartë për ata që korrupsionin e shohin si të pranueshëm – 82% e tyre presin që t’u kërkohet rryshfet.

Raporti vlerëson se reformat në drejtësi në vendet e rajonit në 10 vitet e fundit, nuk kanë përparuar dukshëm. Në rezultatet e dobëta të ndjekjeve penale dhe dënimeve të dhëna, raporti thekson nivelin shumë të ulët të dënimeve përfundimtare për zyrtarët.

Këto reforma i ka përkeqësuar politizimi i gjyqësorit, ndikimet e padrejta dhe korrupsioni. Raporti nënvizon se qeveria dhe parlamenti kanë ndikim të madh në gjyqësor përmes zgjedhjes së zyrtarëve në të dhe përcaktimit të buxhetit. Pavarësia dhe liria e medias mbetet problem në rajon. Raporti bën përgjegjëse qeveritë për mungesën e transparencës së pronësisë së medias dhe mosmbrojtjen e tyre nga ndërhyrja e politikës.