Gazetarë e analistë në çadrën e protestës/ Frrok Çupi: Moment kyç për kombin; Fitim Zekthi: Qeveria po blen mediat

Në çadrën e protestuesve, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka ftuar gazetarët dhe analistët Frrok Çupi dhe Fitim Zekthi, të cilët kanë shprehur refleksione për vitet e para të demokracisë dhe lirinë e mendimit.

Gjatë fjalës së tij përpara protestuesve, gazetari Çupi është shprehur në të njëjtën linjë me kryedemokratin Basha, duke theksuar se “nuk jemi ndryshe nga viti 1990. Ishim në luftë dhe në luftë jemi edhe tani”.

Ai ka mbështetur gjithashtu kauzën e opozitës për zgjedhje demokratike, duke theksuar se ky është një moment i rëndësishëm për vendin tonë.

“Është një moment kyç për kombin, një moment kyç për nderin e kombit. Me protestën tuaj ju po e ngrini kombin në rangun e kombeve të përparuara. Kur lindi Rilindja Demokratike njësoj si sot policia thoshte do arrestoj kryetarin e opozitës”, iu drejtua protestuesve gazetari Frrok Çupi.

Nga ana tjetër, për gazetarin Zekthi gjendja në vend është shumë e rëndë dhe sipas tij Qeveria po shfrytëzon pushtetin për të blerë mediat.

“Aktiviteti kryesor i qeverisë është shfaqja televizive. Është një qeveri që rri nga mëngjesi në darkë në televizion. Gjëja e parë që bën një qeveri që kërkon ta përdorë pushtetin për interesa private është shtënia në dorë e pushtetit të medias”, u shpreh gazetari Fitim Zekthi.