Banorët e Zharrëzës takohen me Peleshin: Nuk largohemi, do qëndrojmë para Ministrisë

Ka përfunduar takimi i protestuesve të Zharrëzit me zv/Kryeministrin Niko Peleshi për dëmtimet e banesave të tyre.

Gjatë takimit që zgjati më shumë se 1 orë, 7 përfaqësuesit që ishin në takim me Peleshin e quajtën pozitive frymën e bisedimeve dhe paraprakisht u ra dakord që disa ekspertë do të verifikojnë dëmet për të përcaktuar dëmshpërblimet.

Megjithatë, ata sqaruan se nuk do të largohen nga sheshi para Ministrisë së Energjetikës dhe do të qëndrojnë aty deri sa të kenë marrë personalisht aktet e ekspertimit.

Ata saktësuan se nuk do t’i bashkohen çadrës së opozitës në bulevard. Javën e ardhshme është rënë dakord që të ketë një tjetër takim mes tyre dhe Qeverisë.

Banorët e Zharrëzit mbërritën sot në Tiranë pas një maratonte prej 4 ditësh me këmbë nga fshati i tyre deri në kryeqytet. Ata kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë që u janë dëmtuar nga shpërthimet e stimuluara nga kompania e naftës “Bankers Petroleum”.