Rekord në Kinë, shënohen 1 miliard vaksinime ndaj Covid

Kina ka arritur rekord të vaksinimeve kundër Covid-19, duke kryer mbi 1 miliard doza e duke u renditur para çdo shteti në rruzull.

Rekordi u regjistrua të dielën, më pak se një muaj pasi vendi administroi 500 milionë doza. Programi kombëtar i vaksinimit po ecën intensivisht, thonë autoritetet, me 10-20 milionë vaksinime të kryera për çdo ditë, shkruajnë mediat e huaja.

Kina e nisi fushatën e imunizimit dhjetorin e kaluar dhe gjatë kësaj kohe ka përdorur dy vaksina kryesore: prodhimet e kompanisë farmaceutike "Sinopharm" që është pjesërisht shtetërore, dhe të firmës "Sinovac".

Të dyja vaksinat janë licensuar edhe nga OBSH-ja, por në testet e deritanishme efikasiteti i tyre ka qenë nën mesataren e alternativave.

Një miliard dozat e kryera në Kinë përbëjnë rreth 40 për qind të totalit të të vaksinuarve në gjithë botën, megjithëse Pekini ende nuk ka treguar se kur mund ta arrijë të ashtuquajturin imunitet të tufës prej Covidit-19.