Rama i ofron punë publikisht kandidates së partisë së Topallit

Sandra Xheleshi, e cila kandidonte për deputete në zgjedhjet e 25 prillit nën siglën e partisë së Jozefina Topallit, “Lëvizja për Ndryshim”, është një nga aplikantet në nismën “Gati për Shqipërinë”, që ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, shkruan gazeta Panorama.

Në një komunikim që shefi i qeverisë ka pasur me të rinjtë aplikantë në një nga ciklet e sesioneve online, Rama i ka lënë një takim të resë me shefen e kabinetit të tij. Në fjalën e tij Rama shprehet se takimi do bëhet shpejt meqënëse këto ditë vajza ndodhet në Shqipëri, dhe nëse fiton në aplikim, ‘mos të lëmë të ikësh ndoshta’.

“Do bësh një takim me drejtoren time të kabinetit direkt meqë je në Tiranë që të shohim mos të lëmë të ikësh ndoshta. Do të lëmë një kontakt sot pasdite ndoshta ose nesër”, i thotë Rama -Xheleshit, e cila prej vitesh jeton në Britani dhe ka shfaqur interesin për të punuar dhe kontribuuar në Shqipëri.

Lëvizja për Ndryshim e Topallit e prezantoi Xheleshin, 26-vjeçaren që garoi në qarkun e Dibrës, në mars të këtij viti.