Putin “thyen heshtjen” pas takimit me Biden: Nuk ka armiqësi, kemi rënë dakord që diplomatët…

Pas takimit katër orësh që ka pasur në Gjenevë me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, kreu i shtetit rus Vladimir Putin ka folur për mediat.

Putin i ka konsideruar bisedimet si “shumë konstruktive”, duke theksuar se nuk ka pasur armiqësi në këtë takim, por vetëm diferenca në pozicione, shkruan BBC.

Po ashtu Putin deklaroi se Rusia “ka dhënë informacion të plotë” për SHBA-të lidhur me sulmet e pretenduara kibernetike. Ai tha se SHBA-të nuk ishin përgjigjur.

Ndërsa, Putin ka thënë se SHBA dhe Rusia kanë rënë dakord që të mos dëbohen diplomatët nga të dyja vendet. Presidenti rus tha se ishte diskutuar gjithashtu mbi Ukrainën, por nuk dha detaje për këtë çështje.

I pyetur mbi udhëheqësin e ndaluar të opozitës Alexei Navalny, Putini bëri thirrje për mbulim të paanshëm mbi incidentin. “Ky person e dinte që po shkelte ligjin ekzistues në Rusi dhe ai është një shkelës i përsëritur”, tha Putin.

“Ai e dinte mirë se ishte në kërkim, por megjithatë u kthye në Rusi dhe ai qëllimisht donte të arrestohej”, vijoi presidenti rus.

Takimi i 16 qershorit mbahet vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se homologu i tij rus është një vrasës.  Që nga betimi si president në muajin janar, Biden ka vendosur dy raunde sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.