ZGJEDHJET – Kolegji rrëzon opozitën, certifikon Ramën

Gjykata e Posaçme për Zgjedhjet i ka dhënë fund dje odisesë së opozitës për të vërtetuar në rrugë ligjore atë që ajo e quan “masakër elektorale” në zgjedhjet e 25 prillit. Dje u morën vendimet e fundit për Fierin dhe Elbasanin. PD: Do e çojmë çështjen në Kushtetuese dhe në Strasburg.

Rrëzimi i ankimimeve për qarkun e Fierit dhe Elbasanit dje nga Kolegji Zgjedhor ka shuar shpresat e opozitës për të vërtetuar në rrugë ligjore parregullsitë në procesin zgjedhor të 25 prillit. Gjatë dy javëve të para të muajit qershor Kolegji Zgjedhor njësoj si Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi të gjitha pretendimet e PD-së dhe LSI-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve. PD kishte kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit, por të gjitha kërkesat e saj ashtu si dhe të LSI-së dhe kandidatëve të pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje u rrëzuan nga Kolegji me të njëjtin argument; të pabazuara në prova.

Gjatë kësaj sage ligjore PD-ja pati kërkuar përjashtimin e 7 anëtarëve të trupës gjyqësore nga 8 anëtarë, por as ky vendim nuk u mor parasysh. Tashmë vendimet e fundit i japin certifikimin zyrtar rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të fundit, ku Partia Socialiste ka fituar 74 mandate, PD me aleatët e saj 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD-ja e Tom Doshit 3 mandate. Opozita ka reaguar dje pas vendimit për qarkun Fier duke i konsideruar vendimet e njëpasnjëshme të Kolegjit Zgjedhor si të paprecedenta dhe ka paralajmëruar se çështjen do e dërgojë deri në Strasburg.

Qëndrimi i PD-së

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, për të mos përsëritur zgjedhjet në Qarkun e Fierit. Në një deklaratë për mediat, ai e ka cilësuar këtë vendim si flagrant e të paprecedent, ndërsa shton, se çështjen mund ta dërgojnë deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Prej dy muajsh Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka filluar një betejë ligjore në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për zbardhjen e plotë të masakrës elektorale të 25 prillit. Ne kemi sjellë me qindra fakte dhe shpjegime, të cilat shpjegonin në mënyrë të detajuar të gjithë sistemin kriminal që kishte ndërtuar regjimi Rama-Doshi për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë në 25 prill. Fatkeqësisht por pa asnjë surprizë, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve dhe Kolegji Zgjedhor refuzoi të drejtën për transparencë, jo vetëm të Partisë Demokratike, jo vetëm të 630 mijë zgjedhësve që përfaqësojmë ne apo 107 mijë zgjedhësve që përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim, por të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët donin të kuptonin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 25 prillit. Këto vendime janë të paprecedenta”, – tha ai.

Sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së këto vendime janë në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor dhe të gjitha aktet e tjera ligjore në Shqipëri, ku iu refuzohet e drejta palëve për të bërë transparencë mbi një proces zgjedhor.

“Ne sigurisht e dimë se kush ka qenë mbrapa këtyre vendimeve. Ka shumë qytetarë që na pyesin çdo ditë: Kush nuk është i interesuar për të zbardhur të plotë masakrën zgjedhore të 25 prillit? Kush është i frikësuar nga transparenca e plotë mbi këtë masakër? Kush është “dora e zezë” që ka mbyllur gojën e komisionerëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve? Kush është “dora e zezë” që mbyll gojën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor? Kush është “dora e zezë” dhe kriminale që nënshkruan vendime të paligjshme? Përgjigjja është një dhe e vetme është Edi Rama. Është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që është njeriu më i interesuar në këtë vend për të shuar dhe për të shkatërruar çdo hapësirë lirie, çdo hapësirë demokracie dhe çdo hapësirë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që ekzistojnë në këtë vend”, deklaroi ai.

Logu shtoi se opozita nuk do të dorëzohet dhe se do të vazhdojë deri në fund betejën për zbardhjen e plotë të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Duke pasur parasysh se ligjërisht vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të paankimueshme avokati i PD-së tha se Partia Demokratike do të përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që do të ndjekin në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë për procesin zgjedhor të 25 prillit. Para se të ankimonte në Kolegj opozita u rrëzua në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ, një institucion i ri i ngritur pas rishikimit të Kodit Zgjedhor me një marrëveshje politike të gjerë në vitin 2020.

Dy partitë më të mëdha opozitare depozituan njëra pas tjetrës 16 kërkesa ankimore në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ. Partia Demokratike kundërshtoi rezultatin dhe kërkoi rivotim në 9 qarqe, në të cilat në 8 kishte humbur dhe në njërin kishte dalë fituese. Ndërsa LSI ankimoi rezultatet në 6 qarqe, ku në dy prej tyre, në Berat dhe Durrës kërkoi rinumërim. Rinumërimi në të dyja qarqet u pranua nga KAS por nga hapja e kutive rezultatet nuk ndryshuan dhe mandatet mbetën njësoj.

Hapja e kutive nuk e ndryshoi rezultatin
Gjatë procesit të ankimimeve KAS vendosi për rinumërim të votave në dy qarqe nga 9 qarqe për të cilat opozita kishte kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve. Në Berat dhe Durrës kutitë e hapura dhe rinumërimi i votave nuk arritën të ndryshonin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Procesi i rihapjes së kutive me fletët e votimit në 114 qendra votimi në qarkun e Beratit nuk ka sjellë ndryshim në shpërndarjen e mandateve në këtë qark, por është ngushtuar diferenca mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste me 58 vota, nga 77 që ishte kur KZAZ-të kishin shpallur rezultatin.

KAS rrëzoi kërkesën e PD-së dhe LSI-së për pavlefshmëri të rezultatit të 25 prillit dhe përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Beratit. Ndërsa në përfundimin e rinumërimit të 108 kutive të votimit në qarkun e Durrësit rezultoi që Partia Demokratike humbi 38 vota, Partia Socialiste humbi 26 vota ndërsa për Lëvizjen Socialiste për Integrim kishte një votë më pak. Kjo do të thotë se PS arriti të ruajë mandatin e 8-të në këtë qark kurse LSI do të mbetet pa përfaqësues në Parlamentin e ri për Durrësin. Ky mandat para rinumërimit të 108 kutive ndahej për 136 vota, tashmë që PS humbi 16 vota, diferenca përfundimtare mbetet 120 vota. Rinumërimi u bë pas pranimit të kërkesës së LSI-së për rinumërim të votave.

Vendimet e Kolegjit që rrëzuan opozitën

Fleta e votimit:
Para zgjedhjeve të 25 prillit Kolegji Zgjedhor ka vendosur që fleta e votimit të jetë me numra dhe jo me emrat e kandidatëve për deputetë, duke rrëzuar kështu kërkesën e PD-së. Komisioneri kishte votuar fletën me emra, por pas kërkesës së PS-së KAS vendosi në favor të saj dhe Kolegji e rikonfirmoi vendimin.

-Qarku Gjirokastër
Kolegji Zgjedhor rrëzoi si “të pabazuara në ligj” pretendimet e PD-LSI në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të qarkut Gjirokastër. Fillimisht Kolegji rrëzoi kërkesën e PD-së për të marrë informacione shtesë nga institucionet e për t’i paraqitur ato si prova të pretendimeve të tyre për manipulime të zgjedhjeve. Kolegji rrëzoi edhe padinë e kandidatit për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Merxhani.

Qarku Vlorë
Kolegji Zgjedhor rrëzoi paditë e PD-së dhe LSI-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun Vlorë. Partitë opozitare kërkuan shpalljen e rezultatit të pavlefshëm dhe rivotimin në qarkun Vlorë me pretendimin se gjatë fushatës së zgjedhjeve qeveria shfrytëzoi administratën, burimet dhe shërbimet shtetërore duke i kushtëzuar ato në këmbim të votës.

Qarku Berat
Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD-së për të marrë prova shtesë për Beratin. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste kërkoi nga Kolegji Zgjedhor që të rrëzojë vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve dhe shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Beratit, duke i hapur kështu rrugën rivotimit.

Trupa gjyqësore
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve, nga 8 që janë në total, nga procesi i shqyrtimit të padive për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas demokratëve këta gjyqtarë me vendimet e marra deri më tani kanë refuzuar transparencën mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Qarku Tiranë
Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për përfshirjen e provave të reja në shqyrtimin e padisë për zgjedhjet në qarkun e Tiranës. Ndërkohë ky Kolegj ka rrëzuar edhe padinë e kandidatit të pavarur Boiken Abazi për qarkun e Tiranës.

Qarqet Shkodër dhe Korçë
Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike dhe të LSI-së që kërkonin shpalljen të pavlefshme dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës dhe të Korçës. Kolegji Zgjedhor e ka konsideruar këtë padi të bërë nga palët politike si të pambështetur në ligj dhe pretendimet e tyre i ka konsideruar të pabazuara në fakte konkrete.

Qarku Durrës
Kolegji Zgjedhor rrëzoi paditë e opozitës edhe për qarkun e Durrësit duke i cilësuar si të pabazuara në prova. PD dhe LSI kërkonin pavlefshmëri dhe ripërsëritje të zgjedhjeve në këtë qark. Përfaqësuesi ligjori i Partisë Demokratike e cilësoi vendimin e Kolegjit si refuzim për të hedhur dritë mbi masakrën e pretenduar zgjedhore për të cilën flet opozita.

Qarku Fier dhe Elbasan
Paditë e opozitës për qarkun e Fierit dhe Elbasanit u rrëzuan dje njësoj si paditë për qarqet e tjera. Trupa e 5 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor e cilësoi si ta pambështetur në ligj kërkesën e PD dhe vendosi të lërë në fuqi vendimin e KAS, duke vulosur kështu rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në këto qarqe.