Kë po paguajmë 100 milionë euro?

Njerëzit dëgjojnë që sektori publik është zgjeruar me 20 mijë vetë vitet e fundit dhe ndoshta nuk u bën shumë përshtypje. Por nuk është aq e thjeshtë.

Paga mesatare në shtet është rreth 54 mijë lekë në muaj. Për 20 mijë vetë janë plot 120 milionë dollare ose 100 milionë euro në vit, që paguhen nga taksapaguesit.

Çështja është kë po paguajmë?

A kemi ne 20 mijë mjekë më shumë në spitalet tona publike? Nuk i kemi. Edhe ata që i kishim, po na i merr Gjermania.

A kemi ne 20 mijë mësues më shumë në shkollat tona publike? Nuk i kemi. Madje numri i shkollave është ulur për shkak të rënies së numrit të nxënësve.

A kemi ne më shumë policë?  Ndoshta. Por a kemi më shumë rend dhe siguri? Nuk kemi. Përkundrazi, kemi më shumë vrasje, më shumë armë dhe më shumë krim.

Pra pyetja mbetet kë po paguajmë 100 milionë euro në vit? Ndoshta orekset e militantëve të partisë, të cilët sistemohen nëpër borderotë e shtetit.

Janë shpenzuar gati 1 miliardë euro për Shqipërinë dixhitale, por administrata fryhet dhe korrupsioni rritet.

U bë reforma territoriale, por zvogëlohet numri i bashkive dhe rritet numri i punonjësve.

Koncesionohet gjysma e shërbimeve publike te privatet, por administrata dhe ryshfetet vetëm rriten.

Kë po paguajmë? Dhe për çfarë? Kjo është çështja.