Malaj: Mos i gjobisni bizneset, fiskalizimi me penalitete - rrugë e dështuar disa herë
Mos i gjobisni bizneset - dështimi është i qeverive jo i tyre. Reformat-fiskalizimi me penalitete - është një rrugë e dështuar disa herë.
Nga Arben Malaj
Biznesi duhet t'i paguajë detyrimet sipas: (a) "cash flow/hyrjeve të ardhurave; (b) me koston e tij më të ulët për taksapaguesit dhe (c) kostot sa më të vogla edhe të taksa-mbledhësve. Këto janë parime të arta të taksimit të qartësuara nga Adam Smith që në shekullin e 17-të.
Mos shpikni për interesa jo të sinqerta parime të tjera siç është absolutizimi i efekteve të gjovave sa më të rënda.
Personalisht mbështes çdo reformë në çdo aspekt të qeverisjes online që garanton tre parakushte jetike:
(1) nuk rrit asnjë kosto direkte dhe indirekte për përdoruesit e këtyre shërbimeve online sidomos për tatimpaguesit, bizneset dhe individët;
(2) që rrit shpejtësinë dhe cilësinë e nder dhe bashkëveprimit midis përfituesve fundorë - dhe agjensive publike dhe
(3) që nuk dëmton sado pak moralitetin e taksave - pra që qëllimi i vërtetë është përfitimi i përdoruesve nga efektet pozitive të reformave dhe jo kompanitë e favorizuara vendase apo të huaja për fitime të garantuara dhe të larta.
Ky projekt që është shtyrë disa herë vërteton shqetësimin e taksapaguesve për:
(1) kostot jo të lehta direkte dhe indirekte:
(2) qeveria ka shkelur një nga detyrimet ligjore që për çdo ligj duhet të masë dhe qartësojë publikisht efektet përfituese ose kostot e tij por jo me paragrafe copy-paste por me shifra të monitorueshme;
(3) qeveria fshehu në parlament se sa do të ishte në milidra lekë përfitimi nga efektet direkte dhe indirekte të fiskalizimit;
(4) qeveria me vetëdije fsheh transparencën e këtyre shifrave që të pengojë monitorimin e "sukseseve" të reformave nga ekspertë dhe Organizata Jo Qeveritare jashtë favorizimit qeveritar;
(5) nëse të ardhurat nga fiskalizimi do të ishin aq të mëdha sa qeveria deklaron me fjalë - individët, bizneset e vogla dhe të mesme vitet e para nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë dhe kur të binden se fiskalizimi ndihmon edhe menaxhimin më mirë të bizneseve të tyre do të rritet vullnetshmëria e përdorimit të sistemeve "moderne" fiskalizuese në një treg konkurues të ofrimit të tyre me cilësi të mirë dhe kosto të ulët të pajisjeve dhe mirëmbajtjes;
(6) qeveria ka dështuar disa herë me imponimin me dhunën e gjobave për ta luftuar informalitetin dhe evazionin;
(7) dështimi vjen kryesisht nga moraliteti i ulët i pagimit të taksave kur qeveritë akuzohen nga taksapaguesit, nga raportet, indekset dhe institucionet ndërkombëtare për korrupsion dhe kapje të shtetit;
Qeveria ka treguar se për përfitime politike/vota dhe për përfitime abuzive dhe të nxitura nga arroganca, babëzia dhe kapja e shtetit ka bërë herë pas here falje të gjobave. Pra ajo e keq përdor penalizimin jo për të luftuar informalitetin, por për të rritur pushtetin e saj abuzues.
Kjo analizë mund të thellohet dhe plotësohet si me argumenta dhe me rastet e dështimeve të përsëritura në administratën publike dhe fiskale.