Për ju që iu 'mungon' Ruçi i bandave dhe hurit/ Shkoni se e keni te muzeu i krimeve të Sigurimit

Largimi i Gramoz Ruçit nga politika përflitej prej ditësh në qarqet gazetareske. Arsyeja nuk lidhej me ato që u deklaruan në kongresin alla- Kim Jong-un të Edi Ramës. E para, thuhej se do të largohej për rezultate të dobëta në qarkun e Fierit. E dyta, emri i tij përflitej se ishte ndër personat e padëshiruar nga ndërkombëtarët.

Në fakt, prej dekadash thuhet se Ruçi është një person në listën e zezë të amerikanëve. Kur socialistët ishin në qeverisjen e tyre të parë, raportohej se ai nuk udhëtonte dot drejt SHBA. Në atë kohë, Ruçi nuk mori ndonjëherë post ekzekutiv.

Megjithatë vazhdimisht është thënë se Ruçi vazhdon të mbajë poste të larta në PS për shkak të lidhjeve të kaluara me komunizmin. Votuesi nostalgjik i komunizmit e sheh Ruçin si një simbol të rëndësishëm.

Por ky ishte një mashtrim, edhe pse krimet e komunizmit i rëndojnë Ruçit në shpinë, që nga torturat e deri te masakra e 2 Prillit.

Duke e veshur me ideologji Ruçin, harrojnë se ai vërtet ishte njeri i hurit dhe i litarit, por edhe i bandave.

Lidhja e tij me PS ishte pikërisht regjimi i gangsterëve. Këtë e di më mirë se askush tjetër avokati mediatik i regjimit Rama, Mero Baze.

Ai u dhunua barbarisht nga një bandë, për të cilën shkruante se ishte e lidhur me Ruçin. Dhuna mund t'i kishte kushtuar jetën në vitin 2005. Më pas Baze do shkruante se banda e Ruçit ishte e vetmja që ishte shkrirë plotësisht me politikën, duke kontrolluar çdo gjë, që nga trafiku i hashashit e deri te çdo emërim në shtet. Praktikisht ata ishin shteti.

Një dekadë më vonë, Ruçi kapi postin e kryeparlamentarit dhe bandat kriminale dhe droga u bënë kryefjala e regjimit të Edi Ramës sërish.

Largimi i Gramoz Ruçit po trumbetohet si ndonjë arritje, që nga personazhe si Astrit Patozi, i dhunuar nga banda e Ruçit në vitin 2005 e deri te disa gazetarë që bëjnë sikur nuk kanë memorie politike. Nëse vërtet ju merr malli për Gramoz Ruçin, shkoni se e keni të Shtëpia e Gjetheve si torturuesin e fundit të regjimit komunist.

'Çmenduri, çmenduri,' bërtiste ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi kur vizitoi Shtëpinë e Gjetheve dhe mësoi për krimet e Ruçit me shokë. 'Çmenduria vazhdon,' shkruante gazeta më e madhe franceze Figaro duke komentuar skandalin e patronazhistëve dhe rikthimin e Sigurimit në formën e tij më të frikshme në jetën e shqiptarëve.

Dhe nëse vazhdon të jeni nostalgjikë edhe pas kësaj, shkoni se Ruçin e gjeni të stamposur te Shtëpia e Gjetheve. Në fund mos harroni se në një palë votime të dominuara nga krimi dhe bandat, Ruçin mund ta kenë larguar për rezultate të dobëta. Me pak fjalë, bandat e tij nuk ishin kaq të fuqishme sa bandat e qarqeve të tjera të PS. A ka më rëndë se kaq?