Protesta e maturantëve, Boçi: E njëjta skemë si me ‘Turin’ e letërsisë vjet, tani i futur me varkë brenda matematikës
Deputet i Partisë Demokratike i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, Luciano Boçi ka kritikuar Ministrinë e Arsimit në lidhje me reagimin që ata patën për testin e matematikës, menjëherë pas protestës së maturantëve.
Boçi theksoi se për të shuar zemërin e tyre të arsyeshëm dhe për të kontrolluar frikën e vet, ministria i premtoi maturantëve rishikim të shpërndarjes së pikëve nga ekspertët.
Sipas tij, kjo gjë është e njëjta skemë si me “Turin” e letërsisë vjet, tani i futur me varkën e tij brenda matematikës.
“A thua se testi është formuluar në Ministrinë e bujqësisë dhe ekspertët e Kushit tani po e shohin testin?! Apo, ata që e hartuan janë ekspertë që i kanë inat maturantët, ndërsa këto të dytët (të Kushit) që do t’i shqyrtojnë, ekspertë që i dashurojnë?”, shkruan Boçi.
Postimi i plotë i Luçiano Boçit:
EKSPERTËT E “DASHURISË” DHE TURI I MATEMATIKËS
Me “dashuri” të pamatë Ministrja e Arsimit i është drejtuar maturantëve protestuesë.
Për të shuar zemërimin e tyre të arsyeshëm dhe për të kontrolluar frikën e vet, i premtoi rishikim të shpërndarjes së pikëve nga ekspertët.
Është e njëjta skemë si me “Turin” e letërsisë vjet, tani i futur me varkën e tij brenda matematikës.
Është po e njëjta fabul e pushtimit të dijes nga injoranca e paaftësia!
Po nga cilët ekspertë?!
A thua se testi është formuluar në Ministrinë e bujqësisë dhe ekspertët e Kushit tani po e shohin testin?!
Apo, ata që e hartuan janë ekspertë që i kanë inat maturantët, ndërsa këto të dytët (të Kushit) që do t’i shqyrtojnë, ekspertë që i dashurojnë?!!!
Po kjo duket sheshit që nuk është histori ekspertësh.
Mbetet një histori e përsëritur Turi, Bese e Kushi me kapiten Ramën që me varkën e tyre me rrema, rrejnë njerëzit e shijojnë pushtetin duke pluskuar në detin e paaftësisë e duke grabitur të ardhmen e brezave të tërë.
Kushi më mirë të mos kishte folur duke i dhënë rremave për të zmadhuar rrenat e arsimit në Shqipëri.
Por meqenëse foli, së paku t’i kishte kërkuar falje maturantëve për daljen e testeve në rrjete sociale, sikur të ishin fatura lokalesh.
E mira do ishte që për të mirën e maturantëve të largohej fare nga varka turiste e Ramës!/ A.Z/