VIDEO/ Çelet ekspozita 'Rrugëtimi ynë': Fëmijët ngjyrosin... periudhën e pandemisë

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është çelur ekspozita “Rrugëtimi ynë” frymëzuar nga periudha e pandemisë. Pikturat shumëngjyrëshe sjellin botën e përkryer të fëmijëve, ndërsa kuratorja Ruzmira Bejaj pohon se janë përzgjedhur punimet më të mira përgjatë një viti të vështirë.  

“Rrugëtimi ynë’ është quajtur ekspozita, e cila bëri bashkë krijimet e artistëve të vegjël në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Një botë ngjyrash, një univers i përkryer paralel, të cilit artistët e Qendrës Kombëtare të Kulturës  i dhanë jetë përmes peizazhesh shumëngjyrshe.

Mësuesja dhe kuratorja Ruzmira Bejaj , së bashku me fëmijët rrëfyen për Syri Tv, çaste nga përgatitjet,  tematikat dhe motivin e ngacmimit për emrin e ekspozitës.

Pandemia Covid 19 që paralizoi gjithçka qe muzë frymëzimi për artistët e vegjël, të cilët bashkë me mësuesen e tyre përzgjodhën  punimet më të mira si fryt i punëve përgjatë një viti. 

Ekspozita “Rrugëtimi ynë” do të qëndrojë e hapur dhe mund të vizitohet nga të gjithë dashamirësit e artit në Muzeun Historik Kombëtar.