50 milionë mesazhe për të 'vrarë' Lulzim Bashën! Por…

Birn bën shpesh zbulime dhe investigime të pazakonta, të cilat herë janë në favor dhe herë janë kundër njërës apo tjetrës palë politike. Kësaj radhë, gazetari Besar Likmeta ka goditur fort dhe në lule të ballit me investigimin e tij bombastik dhe me mjaft prova të pakundërshtueshme në dorë. Sipas këtij investigimi, shumë muaj përpara fushatës zgjedhore, socialistët kishin filluar kundër Bashës një fushatë tjetër dhe të pashpallur zgjedhore, të egër dhe të kushtueshme sa s’ka.

Shënjestra ishte personaliteti i Bashës dhe krijimi i një pikture të rreme, duke u përpjekur të tjetërsojnë perceptimin e opinionit publik dhe të opinionit politik, për atë që përfaqëson në të vërtetë lideri i opozitës.

Partia Socialiste, pra, dhe strategjistët e vet politikë të huajjanë angazhuar intensivisht prej shtatorit 2020, për të sulmuar dhe për ta zvogëluar figurën publike dhe politike të kryetarit të Partisë Demokratike.

Por që kjo maxhorancë e “rëndë” plot pordhë dhe vetëmburrje të fryra kacek të kish nevojë për 50 milionë mesazhe denigruese për të zvogëluar Lulzim Bashën në sytë e shqiptarëve, kjo ishte se çfarë ishte.

Qindra mijëra euro të dukshme edhe kushedi se sa miliona të padukshme janë angazhuar në këtë “operacion” luftarak të mirëfilltë për të bombarduar imazhin e Lulzim Bashës në sytë, veshët dhe mendjen e mjegulluar të shqiptarëve, na hap sytë “Birn”!

Dhe mund të thuhet se kjo fushatë e mirëshënjestruar është përhapur jo vetëm nëpërmjet mediave anonime dhe rrjeteve sociale, por edhe në një pjesë të madhe të mediave kombëtare, të sponsorizuara fort kundër Lulzim Bashës dhe personalitetit të tij.

Tani fushata Politike ka mbaruar. Pushteti politik mbeti forcërisht apo djallëzisht në të njëjtat duar të mbipushtetshme.

Porse, mendoj se pushtetin moral, investigimi i “Birn” ia riktheu fort dhe qartë liderit demokrat Basha.

Sepse dilet në një përfundim të thjeshtë:

Strategjistët e huaj e të supermirëpaguar të Partisë Socialiste paskan identifikuar Lulzim Bashën “kockën” e fortë të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe në të vërtetë, përtej tymnajave e sulmeve publike pa bereqet dhe plot provokacion që shpërndante Rama kundër Berishës dhe Metës, burime anonime vreri dhe helmi politik lëshonin në eterin shqiptar 50 milionë mesazhe denigruese kundër Bashës. Që do të thotë rreth 31,5 mesazhe për cilindo nga 1,6 milionë votuesit e Republikës së Shqipërisë.

Porse përsëri, demokratët dhe më gjerë qëndruan besnikërisht në krah të kryetarit të tyre duke kapitalizuar një numër rekord votash, në ato kushte krejt të pabarabarta…

Dhe, me sa duket, “strategët” e superpaguar të Partisë Socialiste vazhdojnë edhe tani, në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, të shënjestrojnë edhe një herë Lulzim Bashën si njeriun më të rrezikshëm të opozitës.

Dhe kuptohet, do vijojnë ta godasin, por me sa duket deri tash, ashtu si edhe në 25 prill, e kanë vështirë ta ndajnë atë nga mbështetja e shumicës së demokratëve…