Kërcënimi shëndetësor/ Si mbërriti gripi i shpendëve në Shqipëri
Ende pa kaluar ethet e një pandemie, Shqipëria po përballet me një tjetër kërcënim shëndetësor.
Pavarësisht masave parandaluese të marra, pasi gripi i shpendëve mbërriti në vendet fqinje, H5N8 ka depërtuar edhe në Shqipëri.
Mbrëmjen e së martës, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar tri rastet e para të identifikuara në shpendë të oborrit në tri zona: Fushë-Krujë, Dajt dhe Bujan.
Pasi janë eliminuar rastet e konfirmuara, bashkë me ato të dyshuara, ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë kanë hartuar një paketë masash për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të këtij virusi.
Nuk ka qenë temë dite, por alarmi për “Gripin e Shpendëve” ka muaj që është ngritur.
Është Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve ajo që ka sinjalizuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vëmendje të shtuar ndaj këtij virusi, pasi preku disa vende të rajonit e më gjerë.