Qeveria pranon humbjen me Bechettin, Avokatja e Shtetit: Nuk dështuam, ai fitoi vetëm 108 mln euro

Qeveria shqiptare pranoi se ka humbur gjyqin me Francesco Becchettin, por Avokatja e Shtetit nuk e cilëson si dështim, pasi sipas saj, ai fitoi vetëm 108 mln euro.

Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muça, tregoi historikun e padisë duke nënvizuar se kjo është një histori suksesi pasi dëmi mund të kishte qenë dhjetëfish më i madh, ndërsa mazhoranca socialiste e hodhi përgjegjësinë në kurriz të drejtësisë vendase.

Për herë të parë qeveria pranon se ka humbur një proces gjyqësor ndaj Francesco Bechetti-t. Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muçaj gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve nënvizoi se pala shqiptare duhet të paguajë 108 milionë euro. Por nuk duket ta konsiderojë histori dështimi, kur tregon se mund të kishte shkuar edhe më keq.

Avokatja e Shtetit dha edhe arsyet se përse Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit gjykoi se pala shqiptare kishte shkelur ligjet ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, nuk sheh si fajtor qeverinë për veprimet që i sollën këtë dëm financiar arkës së shtetit, por hedh përgjegjësinë në kurriz të drejtësisë.

Francesco Bechetti hapi fillimisht katër procese në Gjykatat Ndërkombëtare kundër Shqipërisë ku kërkoi si dëmshpërblim një vlerë prej 1.2 miliardë eurosh. Nga tre procese, ai fitoi vetëm njërin që lidhej me sekuestrimin e televizionit Agon Channel që më pas u mbyll. /A2