Abrashi: Krenar për shiritin e kapitenit, duam të përsërisim fitoren ndaj Uellsit

Në mungesë të Etrit Berishës dhe Elseid Hysajt, të dy të dëmtuar, Amir Abrashi është graduar kapiten i Shqipërisë në miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke.

Mesfushori tashmë veteran në kombëtare, u shfaq sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Reja, ku nuk e fshehu kënaqësinë për shiritin dhe premtoi se kuqezinjtë do të bëjnë më të mirën në këto sfida.

Çfarë emocioni është të mbash shiritin e kapitenit?

Është kënaqësi e madhe dhe motiv krenarie që të mbaj shiritin e Shqipërisë, kombëtares që unë e dua dhe jam gati të bëj më të mirën.

Më e rëndësishme është fitorja apo loja e bukur në këto miqësore?

Janë dy teste të rëndësishme dhe ne do të provojmë të bëjmë më të mirën, pse jo edhe të fitojmë në këto dy ndeshje.

A mund ta përsëritim fitoren ndaj Uellsit?

Pse jo?! Ata janë një kundërshtar shumë i fortë, por edhe ne jemi të aftë për t’u përballur dhe për të marrë një tjetër fitore.

E keni ndjekur Uellsin dhe cila është pika e tyre e fortë?

E kemi ndjekur dhe e njohim mjaft mirë, pasi janë një skuadër tipike britanike, që vrapon shumë dhe shfrytëzon shumë aspektin fizik, megjithatë i kemi studiuar mirë dhe besoj se do të bëjmë më të mirën ndaj tyre.