VIDEO/ Shembja e urës së mashtrimit elektoral, prangoset shoferi

Mashtrimet elektorale të kësaj qeverie nuk kanë të sosur. Por veçanërisht një urë ia doli të bëhej simbol i këtyre mashtrimeve në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për urën e Darëzezës në Fier. Banorëve iu ishte premtuar ndërtimi i saj gjatë fushatës dhe ata e kishin ‘ngrënë’ rrengun.

Por pas zgjedhjeve, ata punëtorë që bënin sikur po punonin, u zhdukën dhe banorët u revoltuan pasi iu ishte thënë se ura do ishte gati për sezonin turistik.

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ajo urë e lodhur që lidhte zonën me pjesën tjetër të vendit, është shembur dje në mëngjes.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas çeljes së sezonit turistik dhe do të dëmtojë shumë edhe bizneset që ka kjo zonë bregdetare.

Të premten u raportua se një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ditën e djeshme teksa kalonte me kamionçinë, ka shembur urën e Darëzezës. Bëhet fjalë për shtetasin Luftar Panahori.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se 52-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”.

Panahori akuzohet se duke drejtuar automjetin me një rimorkiator, mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darëzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shembur urën.