VIDEO/ Protesta e mjekëve të Fierit: Ardit Klima, po na pengon punën, kërkojnë ndihmën e policisë

Mjeket e spitalit të Fierit kanë dalë sërish sot në protestë, e dyta brenda pak ditëve. Ata deklarojnë se i riu Ardit Klima, i cilësuar sipas tyre me probleme të shëndetit mendor, ka shkuar dje në poliklinikën duke mos i lejuar të ushtrojnë profesionin e tyre. Sipas mjekëve ai i ka fyer dhe kërcënuar.

Mjekët thonë se  personi në fjalë është futur në spital dhe ka kërkuar shërbim për të atin në shtëpi, çka nuk ofrohet nga mjekët e spitalit, por ata të poliklinikës.

Ardit Klima denoncoi në një emision investigativ disa mjekë, që ai pretendon se e kanë dhunuar.

Denoncimet e mjekëve në media

“Drejtoresha e spitalit dhe instancat më lart të vlerësojnë këtë protestë që po bëjmë ne. Kaq kisha”, tha një mjek.

“Shtetasi Ardit Klima ka ardhur në poliklmnikë dhe kërkon disa shërbime që nuk i takojnë dhe nuk na takojnë as ne si staf që ti bëjmë këto shërbime në familje. Këto i kërkon me urdhër dhe ajo që është më kryesorja është mënyra si hyn dhe si na trajtojnë ne, që lë shumë për të dëshiruar. Ne kërkojmë dhe këto i kemi caktuar në atë deklaratë që kemi bërë në polici, një mbrojtje karshi personelit. Duhet që ky pacient ti drejtohet shëndetit mendor. Kërkojmë që kjo të zbatohet. Është e vetmja zgjedhje që kemi”, u shpreh mjekja për mediat.

“Po bëj kaq vite që punoj dhe nuk kam pasur asnjë problem. Dje ka ardhur dhe ka dhënë urdhër që duhet të vish në shtëpi, nëse nuk vjen më ka kërcënuar duke më thënë që do marr masa të tjera. Dua që të merren masa dhe ky person të izolohet dhe mos afrohet në ambientet e spitalit. E kemi të vështirë të punojmë. Të merren masa ose ne të marrim vendimin tonë. Është shumë e vështirë. Dje nuk kanë marrë shërbime shumë pacientë të tjerë, sepse ky nuk na ka lejuar”, tha një tjetër mjeke.

“Personi ka ardhur dhe ka ofenduar që personelin e spitalit. Kemi njoftuar policinë. Kemi bërë denoncim dhe mbrëmë dhe sot”, u shpreh mjeku tjetër.