'Teatri'/ Kushtetuesja shtyn vendimin, pranon kërkesën për prova shtesë

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë dhënien e vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke pranuar pretendimin e presidencës për të marrë prova shtesë. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka refuzuar thirrjen e dëshmitarëve të kërkuar nga presidenca, me pretendimin se nuk janë të nevojshme deklarimet e tyre.

Sipas Kushtetueses, secila palë duhet të paraqitet me nga një ekspert që kanë njohuri të posaçme për çështjen. Kjo ishte një kërkesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Seanca e radhës pritet që të mbahet në datën 15 qershor.

Në seancën e zhvilluar sot, këshilltari i presidentit Meta, Bledar Dervishaj, kërkoi më shumë prova nga institucionet si dhe dëshmitarë.

PROVA SHTESE TE KERKUARA NGA PRESIDENCA

1. Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Françesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua Teatri Kombëtar.

2. Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit.

3. Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit.

4. Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të godinës.

5. Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit si monument kulture.

6. Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike.

7. Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës.

8. Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike.

9. Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin.

10. Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm.

11. Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit.

12. Diskutimet në Këshillin e Ministrave për këtë çështje.

13. Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën.

14. Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë.

15. Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës.

16. Si u arrit në përfundimin që shteti do ta ndërtonte vetë, me para publike, dhe jo me koncesion.

17. Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure.

18. Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

19. Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.