Milloshoski: Për shkak të politikanëve shqiptarë të korruptuar, shqiptarët votuan parti maqedonase

Duke komentuar numrin e madh të votave që LSDM-ja i mori nga shqiptarët në zgjedhjet e 11 dhjetorit, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski tha se arsyeja e vetme se pse shqiptarët votuan një parti maqedonase janë elitat e korruptuara në partitë e vjetra shqiptare, duke aluduar ne BDI-në dhe PDSH-në.

“Sipas meje, arsyeja e vetme pse një numër i madh i votuesve shqiptarë në këto zgjedhje kërkuan alternativë nga parti tjera politike ishte se partitë e vjetra shqiptare apo pjesë e atyre elitave njiheshin si shumë të korruptuar, si në nivel lokal dhe qëndror. Mendoj se korrupsioni në një pjesë të politikanëve shqiptarë, pa fajësuar dikë sepse nuk kam dëshmi të forta, ishin një ndër arsyet kryesore për zhvendosjen e tillë në vetë strukturën politike të votuesve shqiptarë, por edhe në partitë që përfaqësojnë ata”, tha Milloshoski.

I pyetur se a do të mund të mbahen zgjedhjet lokale në afatin e duhur, Milloshoski tha se BDI dhe LSDM janë marrë vesh që këto zgjedhje të shtyhen, dhe për këtë shkak edhe marrëveshja mes dy partive po zvarritet kaq shumë.

“Sipas njohurive tona, jo vetëm kriza politike, por ne e kemi kuptuar edhe një pjesë të marrëveshjes së BDI-së me LSDM-në, qartë shihet se që të dyja partitë plotësisht nuk janë të përgaditur për zgjedhje lokale sipas afatit ligjor, rrethi i parë më datë 7 Maj dhe rrethi i dytë më datë 21 Maj të këtij viti, mendoj se një pjesë të marrëveshjes së BDI-së me LSDM-në është që të shtyhen zgjedhjet lokale. Prandaj edhe zvarritet kjo marrëveshje, ndër të tjera është e menduar që më vonë të zgjihet kryetar i Kuvendit dhe sa më vonë të hyjëm në një zonë të pamundësisë për zgjedhje lokale që të ruajmë afatin e caktuar deri më 7 Maj dhe që Kuvendi të jetë i detyruar t’i shtyejë zgjedhjet për disa muaj më tej”, tha Milloshoski në emisionin ARENA në TV SHENJA.

I pyetur nëse VMRO DPMNE do të koalicionojë me LSDM-në në zgjedhjet lokale për Strugën dhe Kërçovën, Milloshoski as e pohoi e as e mohoi, por tha se partia e tij do të sjellë vendim në rrethin e dytë të zgjedhjeve.