Projekti i ASh-së/ Artan Fuga: Pa u çliruar nga dogma staliniste, historia do mbetet një përrallë nacionaliste

‘Historia e re e shqiptarëve’ është projekti i Akademisë së Shkencave, e cila pretendon se do të shkruaj historinë ‘e plotë’ dhe të pandikuar gjatë periudhës së komunizmit.

Ndryshe mendon akademiku Artan Fuga, i cili thotë se të shkruash një histori të çliruar nga bataku metodologjik stalinist është çështje e kuptimit filozofik të historisë.

Postimi i plotë i Artan Fugës:

Te shkruash një histori staliniste dhe të shkruash një histori antikomuniste kjo nuk ka lidhje fare me atë që ti gjen një dokument që njollos një ballist a legalist, unë gjej një dokument që njollos një komunist!

Ka shumë të ngjarë që të dyja të jenë ndërtuar me metodologji staliniste. Njëra stalinizëm komunist, tjetra stalinizëm antikomunist.

Të ndërtosh një histori të çliruar nga bataku metodologjik stalinist është çështje e kuptimit filozofik të historisë, e metodologjisë filozofike të kuptimit të fakteve dhe ngjarjeve.

Pa u çliruar mendimi historik nga dogmat botëkuptimore staliniste të rrënjosura në dekada, pa një ballafaqim me kuptimin postmodernist të historisë, historia do të mbetet një përrallë nacionaliste, e veshur me propagandë ideologjike për pushtetin dhe e mbushur me paragjykimet e atyre që shkruajnë.

Por do presim, do të shohim, dhe të kemi kohën për të parë rezultatin!