Putini i del në krah Lukashenkos: Perëndimi me dy standarde

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka dalë në krah homologut bjellorus, Alexander Lukashenko gjatë një takimi në qytetin Sochi.

Putin e hodhi poshtë zemërimin e Perëndimit ndaj Lukashenkos, pasi ky i fundit rrëmbeu një avion për të arrestuar një gazetar kritik me qeverinë.

Bashkë me Lukashenkon, ata thanë se Perëndimi po tregohet shumë emocional.

Putini tha se Perëndimi po aplikon standarde të dyfishta, pasi në vitin 2013 nuk lejuan një avion që mbante presidentin bolivian Evo Morales të shkonte drejte Moskës. Avioni u devijua për në aeroportin e Vjenës.

Kurse presidenti bjellorus tha se Perëndimi kërkon që të nxisë trazira në vendin e tij.

“Duan të tronditin anijen njësoj si gushtin e shkuar,” tha ai.

Putin është aleat i Lukashenkos, edhe pse marrëdhëniet mes tyre kanë qenë ndonjëherë të tensionuara.