‘Zerimi i tatim fitimit, mashtrim?’/ Tabaku në SYRI TV: Nuk kishte asnjë vendim të shkruar. I paralajmëruam bizneset

E ftuar në ‘Intervista e Ditës’ në studiot e SYRI TV me moderatoren Juli Kristafi, deputetja e zgjedhur e PD Jorida Tabaku u shpreh se sjellja e Ramës karshi bizneseve të vogla është një film i parë edhe më herët.

Tabaku komentoi pagesën e Tatim Fitimit nga Bizneset e Vogla në maj të këtij viti si një sjellje që i shkon për shtat kryeministrit Rama.

Duke kujtuar sjelljen e Ramës pas zgjedhjeve të vitit 2017 kur ai i vendosi bizneset e vogla në skemën e TVSH-së duke i linçuar publikisht ato si favorizues të evazionit fiskal. 

Kristafi: Në prillin e vitit të kaluar, premtimi i kryeministrit Rama dhe ministres së Financave ishte zerimi i tatim fitimit për biznesin e vogël.

Tabaku: Në vitin e kaluar në mungesë të masave reale për të ndaluar efektet e pandemisë në ekonomi kur ekonomia u mbyllë, kishte probleme me bizneset e vogla. 100 mijë punonjës dolën nga pagesat e sigurimeve shoqërore dhe pothuajse mbi 60 biznese në ditë u mbyllën. Një ritem më i lartë se normalisht.

Ne si opozitë në atë kohë bëmë disa propozime ku disa prej tyre lidheshim me bizneset e vogla. Me taksat vendore dhe me tatim fitimin e bizneseve të vogla. Qeveria në atë kohë tha se këto detyrime të bizneseve të vogla ose do të shtyheshin në kohë ose një masë e madhe e tyre do të anuloheshin.

Nuk kishte asnjë vendim të shkruar dhe zyrtarë për këtë, por bizneset e vogla i bëjnë pagesat çdo tre apo katër muaj dhe ishte diçka që ne e kishim paralajmëruar.

Bizneset prisnin faturat e muajit prill dhe maj për të parë nëse ishte zeruar tatim fitimi.

25 prilli ishte një datë që Rama nuk do ndryshonte sjelljen e tij ndaj biznesit pas kësaj date. Në vitin 2017 sapo mbaruan zgjedhjet, e futi biznesin e vogël në sistem TVSH./ A. Z/