Biba kërcënon sërish Ben Blushin: LIBRA rrezikon të mos regjistrohet

Kreu i KQZ-së Denar Biba deklaroi se Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, mund t’u duhen 5 mije firma që partia e tyre Libra të regjistrohet, ndryshe mund të përballen me një surprizë të pakëndshme.

Rreth 30 prillit, kur LIBRA ti drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të regjistruar listën e kandidatëve për deputetë, ajo ose duhet të sigurojë katër vota të anëtarëve të KQZ-së ose duhet të mbledhë pesë mijë firma. Në të kundërt nuk merr pjese në zgjedhje.

Biba foli në studion e lajmeve të ABC news, ku kritikoi sjelljen e Blushit:

“Blushi tejkaloi çdo lloj norme etike, u mor me mbiemrin tim, më përçundoi emrin krejt pa lidhje, nuk e di pse i bën këto historira. Interesante është se edhe im atë kur shkova atë ditë në shtëpi më tha: mor bir po pse nuk e regjistroni këtë Librën. Ju e dini që Libra është e regjistruar më shumë se sa një muaj para, edhe pse kjo gjë, historia e Blushit, batuat me mua kanë ndodhur javën e kaluar. Ndërkohë që Libra është e regjistruar që para një muaj dhe e kam uruar Librën për fillesën e saj. Ajo që ndodhi javën e kaluar ishte një gjë diçka krejt tjetër dhe ishte realisht mahnitëse por politika në Shqipëri është mahnitëse në sensin e keq”.

“Ka pasur një akt normativ përmes së cilit KQZ donte të bënte një shpjegim të një formule ligjore, ligji thotë që në mënyrë që të regjistrohesh pa ndihmën e një liste mbështetëse prej 5 mijë firmash se askush në asnjë rrethanë s’kishte ndërmend të ndalonte Libra-n, që regjistrimi i listës së deputetëve, jo i partisë, partia kishte kohë që ishte regjistruar, që të regjistrohet pa pasur nevojën e 5 mijë firmave, kjo bëhet e mundur nëse ke mandate deputetësh në parlament 6 muajt e fundit.

6 muajt e fundit nga cila ditë? Nga dita e mbarimit të mandatit të kuvendit që është 9 shtator 2017? 6 muajt e fundit nga dita e zgjedhjeve? Nga dita kur ti dorëzon vërtetimin? Pra nga cila datë?

Kjo gjë kërkonte interpretim se përndryshe do i mbetej në dorë pakicës, të themi administratës fillimisht dhe pastaj 4 anëtarëve të KQZ që të vlerësonin nëse Libra e kishte këtë vërtetim apo jo.

Unë kam qenë për ta nisur konceptin 6 muajt e fundit nga dita e zgjedhjeve që është një interpretim që e favorizonte Libran, po të zgjidhnim 6 muaj nga dita kur do dorëzohej lista, kjo nuk e favorizonte Libra, do i duhej të mblidhte 5 mijë firma.

Duke qenë se nuk u bënë numrat, ky vendim s’u mor dot dhe situata është ende e pasqaruar.

Do ndodhë 50 ditë para zgjedhjeve që Libra do vijë në KQZ të regjistrojë listën e vet dhe nëse s’do ketë 5 mijë firma me siguri dikush do i thotë “s’keni 5 mijë firma, na jepni një vërtetim që keni dy deputet të paktën 6 muajt e fundit” dhe do duhet ta riinterpretojmë atë gjë por tashmë me një akt që merret vetëm me 4 vota të KQZ.

Në gjykimin tim Libra gaboi se e lanë të paqartë situatën e tyre juridike. Nëse në 30 prill Libra do vijë pa 5 mijë firma vetëm me idenë se ka 2 deputetë dhe s’do gjejë kolegët e mi të mbështetur edhe nga përfaqësuesi i PD është shumë e qartë situata.

Libra mund të ndodhet përballë një surprize shumë të pakëndshme që të ketë nëse do vijnë afati i fundit s’do jetë përfundimi i ditës, ora 24:00, nëse nuk do kenë mundësi ti mbledhin 5 mijë firma që është shumë e vështirë, Libra mund të rrezikojë të mbetet pa regjistruar.

Ishte shumë gabim nga ana e tyre mesa duket se kanë idenë fare se si funksionon kodi zgjedhor, por vota ime është e deklaruar dhe vota ime është pro Libra”, tha Biba.